Ibishi: S’kemi pasur organe të drejtësisë ose gjykata

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë të enjten, dëshmitari Nuredin Ibishi tha se nuk kanë pasur organe të drejtësisë, e rrjedhimisht as gjykata.

Fillimisht dëshmitarit iu lexua një komunikatë që pretendohet se ka dalë nga Drejtoria Informative e UÇK-së, e që përmbante akuza lidhur me aktivitetin e “Personit 1”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Aty thotë që: Personi 1 - personi i sigurimit serb që ka qenë organizatori kryesor i plaçkitjeve në Llap edhe ai është ndaluar. Kjo na jep një ide tjetër që ju thatë se kishte një dyshim dhe që pas hetimit ka dalë i pafajshëm dhe është liruar”, tha avokati Simon Laws, i cili përfaqëson viktimat.

Pas kësaj erdhi edhe versioni i Ibishit, i cili tha se personat që kanë kryer veprime të tilla i kanë lënë që kur të çlirohet Kosova të gjykohen për veprat e tyre.

“Në aspektin se kur ekziston baza e dyshimit, ne në Zonën Operative të Llapit nuk kemi pas organe të hetimit, nuk kemi pas gjykatës e hetues, as gjykata për të procesuar lëndën. Pra, për ta thjeshtësuar; për këtë person ka ekzistuar baza e dyshimit se është i involvuar në një rast organizimi çfarë përshkruhet. Mirëpo, ndërkohë jo vetëm këtë rast, por edhe shumë raste të tjera në mungesë të Gjykatës, për mungesë të kompetencave të organeve të hetuesisë, ne këta persona i kemi liruar që në një kohë tjetër, kohën kur çlirohet Kosova që ata për këto vepra ordinere siç janë përshkruar të jenë në çështje të gjykimit të mirëfilltë”, tha Ibishi.

Ibishi tha se kur ka pasur dyshime për veprime të tilla, kanë bërë ndalime të përkohshme, por kur është parë se nuk ka rrezikshmëri nga këta persona, i kanë liruar.

“Ne e kemi bë vetëm një ndalim të përkohshëm, ia kemi bërë me dije arsyet se pse e ndalojmë edhe kur është vlerësu se nuk ka një rrezikshmëri të lartë edhe vetëdijesim që ai nuk do të veprojë atëherë e kemi liru. Pra, kjo është krejt. Pra, edhe njëherë; ne nuk i kemi pas organet e rregullta gjyqësore. Ne kemi vepru më tepër në parandalim dhe kur kemi konstatu që një person që nuk do të merret me këto vepra apo me diçka të tillë, e kemi lënë që në një situatë të mëvonshme kur të krijohen organet e drejtësisë të procedohen rastet për të cilët ekziston një bazë e dyshimit”, shtoi Ibishi.

Si rrjedhojë, Ibishi tha se ka mbizotëruar një sistem i tillë që të ndalohen bashkëpunimet me armikun.

Për t’u shtuar në prova materiale ky dokument që pretendohet se është lëshuar nga Drejtoria Informative e UÇK-së, bëri kërkesë Laws, mirëpo pati kundërshtime nga avokati i Veselit, Rodney Dixon.

“Ju keni thënë në mocionin e 27 korrikut se ky dokument nuk mund të pranohet sepse nuk është i qartë dhe nuk dihet burimi i këtij dokumenti. Ju thatë me të drejtë që do të ndihmonte kontekstualizimin nga një dëshmitar dhe kjo nuk ndodhi. Ju e keni ditur këtë gjë e prandaj e keni mbajtur këtë qëndrim se nëse do të sillej një dëshmitar tjetër mund të dihej burimi dhe konteksti”, tha Dixoni.

Ndërsa, Lawsi tha se burimi i dokumentit nuk ka rëndësi fare, por fakti që Drejtoria Informative e UÇK-së ka folur gënjeshtra ndaj “Personit 1”.

“Burimi, siç e kam përmendur i dokumentit nuk ka rëndësi fare. Fati është se një organizatë që quhet Drejtoria Informative e UÇK-së, sipas asaj që them unë, ka thënë gënjeshtra shumë të rënda ndaj ‘Personit 1’ dhe kjo është baza e dukshme që po keqpërfaqësojnë faktin. Si thotë ky dëshmitar, procesi i brendshëm i UÇK-së e kishte çliruar atë nga akuza. Unë nuk jam e interesuar në burimin, jam e interesuar në faktin. Pra, që ky dokument është futur në domenin publik gjashtë ditë pasi ‘Personi 1’ është ndaluar”, tha Lawsi.

Ai shtoi se nuk është hera e parë që një komunikatë ose deklaratë për shtyp përdoret për të ndryshuar qëndrimin faktik lidhur me viktimat që ai i përfaqëson.

Gjykatësi Charles Smith tha se do t’i japin këtij dokumenti një numër provizor, ndërsa për pranimin në prova do të vendosin në fund.