Murati takohet me shefin e FMN-së për Kosovën, thotë se e përgëzoi për shkallën e ulët të inflacionit

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, së bashku me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, u takuan me shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, David Amaglobeli.

Siç ka njoftuar Ministria e Financave, Murati përgjatë takimit prezantoi disa nga indikatorët ekonomikë dhe progresin që ka arritur Kosova.

“Ndër të tjera, ministri Murati përmendi edhe nivelin e ulët të borxhit publik. Nga ana e tij, Amaglobeli përgëzoi Kosovën për performancën e mirë makroekonomike, që reflektohet me rritje të ekonomisë përtej parashikimeve fillestare dhe me shkallë inflacioni të ulët, e cila në shtator shënoi 0.4%”.

“Palët vijuan diskutimet rreth projekteve dhe programeve aktuale, siç janë: Stand-By Arrangement (SBA) dhe Resilience and Sustainability Facility (RSF) me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe përmbushjen e rekomandimeve që derivojnë nga këto programe.

Palët vijuan takimin duke diskutuar mundësitë për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim. /Zëri