Përleshje me armë në Prishtinë, Policia jep detaje për rastin ku u arrestuan 13 persona

Një person ka mbetur i plagosur dhe një i lënduar, pas përleshjes që ka ndodhur të mërkurën pas mesnate në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se pas raportimit për të shtëna me armë, në vendin e ngjarjes ka hasur në dy viktimat meshkuj kosovarë, njëri i plagosur nga arma, ndërsa tjetri me lëndime.

“Të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një revole dhe një fishek. Lidhur me incidentin janë arrestuar trembëdhjetë (13) meshkuj kosovarë, të cilët me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është arritur të identifikohet dhe sekuestrohet edhe një armë ‘AK-47’ që ishte në posedim të njërit nga të dyshuarit e arrestuar. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar edhe një DWR i kamerave të sigurisë që ishte larguar nga njëri prej të arrestuarve me qëllim të fshehjes së provave. Lidhur me rastin njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet për procedurat e mëtejme hetimore”, njofton Policia. /Zëri