Pas sulmit terrorist në Ankara, reagon Erdogani

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në selinë e linjës ajrore turke, TUSAS, ku raportohet se ka edhe viktima.

Katër persona janë vrarë në sulmin në Ankara, deklaroi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, shkruan SkyNews.

Kjo tani është një viktimë më shumë se sa ishte raportuar më parë. Të paktën 14 persona u plagosën, thuhet në deklaratën e liderit turk.

“Kombi ynë duhet ta dijë se duart e ndyra që shtrihen drejt Turqisë do të thyhen patjetër; asnjë strukturë, asnjë organizatë terroriste, asnjë fokus i keq që synon sigurinë tonë nuk do të jetë në gjendje të arrijë qëllimet e tyre”, tha 70-vjeçari dhe shtoi “lufta jonë kundër të gjitha llojeve të kërcënimeve terroriste dhe mbështetësve të tyre do të vazhdojë me vendosmëri dhe në një mënyrë shumëdimensionale”, tha ai.

Ndërkohë, kreu i Ministrisë së Brendshme të Turqisë kishte deklaruar më parë se vendit i janë shtuar tre dëshmor.

Ali Yerlikaya gjithashtu ka bërë të ditur se dy të dyshuarit për sulmin terrorist tashmë janë vrarë.

Ndryshe, kompleksi TUSAS i vendosur në rrethin Kahramankazan, rreth 40 kilometra në veri të qendrës së Ankarasë, mbulon një sipërfaqe prej katër milionë metrash katrorë.

Gjiganti i mbrojtjes është prodhuesi i aeroplanit të parë luftarak të gjeneratës së pestë të prodhuar në vend, KAAN, si dhe Hurryet, aeroplan stërvitor dhe sulmues i lehtë, dhe Hurkus, aeroplan për trajnime dhe mbështetje ajrore të ngushtë. /Telegrafi