“Mangani nuk largohet me vlim të ujit”, Mjeku: Uji nga liqeni i Badocit ende i papijshëm

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka njoftuar se aktualisht po vazhdon të jetë niveli i lartë e manganit në ujin e pijshëm në Liqenin e Badocit.

Mjeku tha se të gjitha lagjet dhe vendet e kryeqytetit që furnizohen nga Liqeni i Badocit të mos e konsumojnë ujin në ujësjellës për shkak të vlerave të larta të manganit në të.

Ajo rekomandoi që qytetarët të mos e vlojnë ujin sepse nuk largohet sasia e manganit me vlimin e tij.

“Po vazhdon që Liqenin e Badocit sikur në ujin e patrajtuar dhe të trajtuar vazhdon të jetë sasia e manganit e lartë. Ende uji i papijshëm. 0.08g miligram për litër e kemi sasinë e manganit në sasinë e ujit të patrajtuar. Ndërsa tek uji i trajtuar ka 0.03 miligram për litër. Shumë shpejt do të eliminohet kjo. Jemi duke pastruar dhe shpëlarjen e linjave magjistrale dhe sekondare në mënyrë që të mos mbetet sasi e manganit në grupacione primare dhe sekondare”, tha Mjeku për RTV Dukagjini.

“Rekomandimi tjetër është nga IKSHPK-ja që ne të furnizojmë me uji për pije dhe përgatitje të ushqimit përmes autobotëve, duke filluar nga Badoci i ri, Graçanica, Hajvalia, Veterniku, Lagjja e Spitalit, Rruga B, Lagja Bregu i Diellit, Muharrem Fejza. Uji mbetet i papijshëm. Dukuri termike, ndodh kur ditët janë të nxehta e netët e ftohta. Diçka kimike. Ujin nuk duhet të vlojnë sepse nuk e largojnë manganin nga uji, por duhet të marrin nga autobotët. Do të marrim masa të tjera që herëve të tjera të mos kemi probleme të tilla”, vijoi Mjeku.