FSK-ja lidh marrëveshje me Turqinë për trajtimin mjekësor të ushtarëve

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar me homologun turk, Yaëar Güler, me të cilin ka nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim rreth trajtimit mjekësor.

“Me këtë rast ndërmjet dy ministrive tona u nënshkrua edhe protokolli i rishikuar i bashkëpunimit në fushën e trajtimit mjekësor, përmes të cilit mundësohet ofrimi i kuotave shtesë për trajtimin e ushtarakëve të FSK-së në institucionet mjekësore ushtarake turke. Me këtë marrëveshje kuota e trajtimeve mjekësore falas në dispozicion të ushtarakëve tanë rritet nga 50 në 75 në vit apo për 50% më shumë”, ka shkruar Maqedonci në facebook.

Mbi 300 ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajtuar pa pagesë në institucionet e specializuara shëndetësore ushtarake turke në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh në këtë fushë.

“Përveç kësaj marrëveshja mundëson realizimin e ushtrimeve të përbashkëta në fushën e mjekësisë ushtarake, trajnime mjekësore para zbarkimeve ushtarake, shkëmbimin e personelit mjekësor, veprimtaritë shkencore dhe shkëmbim i informacionit mjekësor, edukim profesional për pjesëtarët e FSK-së në Akademinë Mjekësore Ushtarake të Turqisë në mjekësi të përgjithshme, stomatologji, infermieri dhe farmaci”, vazhdon njoftimi.