Si iu hapën dyert Kosovës në shtetet e Lindjes së Mesme: Rexhep Boja – një shembull i rrallë historik në diplomaci
Në një kohë, kur shërbimi ndaj atdheut u përjetua si pasion që lidhej me përmbushjen e fatit politik të saj, shfaqet Rexhep Boja. Ndoshta asnjë prijës tjetër fetar nuk ka punuar me kaq ngulim dhe kaq gjatë, për pesë dekada për Kosovën për të kalitur kontributin e tij sa që kur ai sot vlersohet në mënyrë të paanshme, duhet thënë shkurt dhe qartë: Emri i tij, si Myfti i Bashkësisë Islame, e më vonë si Ambasador i Republikës së Kosovës, qëndron në themelet e lirisë, pavarësisë dhe shtëtësisë së Kosovës. Shtetësia si arritja më e madhe historike, para se gjithash, ka në themelet e saj sakrificën e shumë gjeneratave për një shekull të plotë, cdo formë të rezistencës, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe orientimin e drejtë properëndimor. Mirëpo, kjo arritje historike nuk është vetëm arritje politike, por është edhe shoqërore. Përtej domosdoshmërisë për të qenë te lirë dhe pashmangshmërisë së progresit në histori, ishin situata të vështira ku në Kosovë u takuan njerëz me ide të reja me momentet historike. Kjo po ndodhte kur Kosova vendosi të merrtë një rrugë të re, kur po shëmbej bota e vjetër dhe kur shembja filloi me murin e Berlinit më 1989. Me një shpejtësi jashtë imagjinatës sonë atëherë, shembi papritmas rendin e vjetër botëror dhe regjimin komunist.
Në vitet 1990 një grup intelektualësh e shpallën vizionin për një shtet të pavarur, duke krijuar institucionet e mbijetesës dhe duke ndërkombëtarizuar Kosovën si një çështje të pazgjidhur kombëtare dhe evropiane. Një lëvizjeje të tillë iu bashkua edhe vet Rexhep Boja, së bashku me bashkëveprimtarët e tij në këtë kohe të vështirë, por vendimtare. Krahas punës për t`i shërbyer komunitetit të tij, ai mori përsipër gjithashtu detyrën për ta mbajtur popullin të bashkuar dhe ta mbështestë në ndjekjen e aspiratës për pavarësi dhe demokraci. Si Myfti i zgjedhur në këtë kohë, ai së bashku me bashkëmendimtarë e fituan betejën e parë dhe shumë të rëndësishmë institucionale dhe politike. E pavarësuan tërësisht Bashkësinë Islame të Kosovës, nga rrjeti i vjetër i merimangës komuniste, e cila kishte vendosur të gjitha bashkësitë fetare nën hegjemoninë serbe të Beogradit, të cilët kundërshtonin ashpër dhe me çdo mjet këtë akt të pavarësimit. Boja, tregonte me pasion për këtë ngjarje, duke e parë veten dhe aktin e pavarësimit si një rilindas, në traditën e pavaresimit të bashkësive fetare të shqiptarëve në të kaluarën.
Është një shembull i rrallë në histori, që një bashkësi fetare si Bashkësia Islame e Kosovës të kuptojë drejtë frymën e ndryshimit në vitet e 90-ta, duke i dhënë kuptim kohës dhe hapësirës. Platforma e Rexhep Bojës ishte se liria dhe pavarësia politike, ishin kusht për lirinë fetare të popullit të Kosovës. Kur politika dhe shoqëria u dëmokratizuan, të drejtat e njeriut ishin një standard i ri dhe liria e shprehjes u bë mënyrë e jetetës, atëherë ndodhi edhe një demokratizim i vetë Bashkësisë Islame. Por, kur politika dhe rezistenca qyterare nuk dhanë rezultatin e pritur në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, dhe lufta e armatosur ishte rruga e vetme drejtë lirisë, Rexhep Boja u bë nje mbështetës i madh i UÇK-së. Ai, në takime zyrtare dhe intervista për media në Lindje dhe në Perëndim, shpjegoi karakterin e çlirimit kombëtar të luftës, duke e goditur propagandën serbe dhe ruse kundër UÇK-së dhe natyrisht kundër Kosovës.
Bashkësia Islame është një rast unik në histori, si një forcë e vetëdijshmë shoqërore kundër regjimit serb, duke i caktuar vetëvetes një mandat shoqëror në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë. Kur e them këtë, e them atë çka mendoj dhe çfarë intelektualisht besoj. Për më shumë, e shoh kontributin e Rexhep Bojës një vazhdimësi të një ndërgjegjeje historike, e ngulitur thellë në traditën islame në Kosovë. Nuk është rastësi, por është ligjshmëri shoqërore në Kosovë, që kur Lidhja e Prizrenit u shfaq si një formacion politik me premisa të organizimi shtetëror, Ymer Prizreni, një Imam, u bë forcë udhëheqëse së bashku me një ideolog iluminist kombëtar, Abdyl Frashëri. Çfarë i bashkonte një ideolog iluminist dhe një hoxhë? Përveç, liria dhe pavarësia kombëtare si ideale të larta! Janë disa ide dhe ideale që në histori i kanë mbajtur të bashkuar shqiptarët. Kështu ishte edhe në kohën kur veproi Boja. Ai e shihte veten si një zgjerim të kësaj ndërgjegjeje historike, si zgjatim i këtyre idealeve. Nuk është rastësi se edhe tema e tij e doktoratës, e bërë në moshë të re, e trajton tëmen komplekse: Shqiptarët dhe Islami.
Kur para 30 vitesh studioja në Vjenë, si pjesëmarrës në konferenca për shqiptarët dhe Ballkanin në disa vende evropiane, e kam takuar disa herë edhe Dr. Bojën. Ai udhëtonte së bashku me Ipeshkvin Nik Prelën dhe më vonë me Ipeshkvin Mark Sopi. Ata paraqisnin argumentet e tyre për gjendjen në Kosovë, të ndërtuar mbi një diskurs të menduar mirë. Por, këta klerikë fetarë i ngjasonin më shumë shembullit të intelektualit perëndimor sesa udhëheqësve fetarë. Natyrisht, okupimi i egër serb dhe pritja e tyre që Evropa do ta mbështeste kauzën e Kosovës përcakton sjelljen e tyre dhe diskursin. Por, ata natyrshëm e shihnin veten më shumë të lidhur me fatin e popullit të shtypur sesa vetëm me bashkësinë e tyre të ngushtë fetare që udhëhiqnin. Sepse, i gjithë populli përjetonte dramën e njëjtë të përndjekjes dhe të gjenocidit dhe as një komunitet fetar nuk po i shpëtonte kësaj. Dr. Boja kishte guxim që me argumente të shpaloste të këqijat e politikës serbe të spastrimit etnik dhe me forcën e mendjes të tregonte se kah mund të orientohet zgjidhja dhe si mund të bëhet realitet ëndërra e pavarësisë.
Në vitet para shpalljes së pavarësisë, kur isha anëtar i delegacionit të Kosovës për negociata në Vjenë në procesin e Ahisaarit, e kam takuar disa herë, dhe kemi biseduar gjatë. Doja ta merrja këshillën e tij për çështje dhe disa tema të bashkësive fetare në Kosovë dhe si ai e shihte rolin dhe vendin e tyre në një Kosovë të paspavarësisë. Pas vitit 2008, për 15 vjet kam bashkëpunuar ngusht në baza ditore e javore me Bojën. Kam mësuar shumë nga ai dhe kam qenë shpirtërisht i lidhur me të, ndonëse ishim gjenerata të ndryshme. Duke e njohur gjatë dhe punuar gjatë me të, Boja i plotësonte disa parakushte për suksesin e tij shoqëror dhe shtetëror.
Së pari: Ishte intelektual i përgatitur, duke njohur mirëfillt jo vetëm gjuhën arabe, por edhe mënyrën islame të të menduarit. Me një thellësi dhe mprehtësi të jashtëzakonshme ai u shpjegonte shteteve islame karakterin e mirëfilltë të shtetësisë së Kosovës, duke kërkuar me urgjencë njohjen e pavarësisë së saj. Asnjëherë nuk ka rënë pre e naivitetit të narrativës fetare, e cila as nuk do përmbushte ndonjë pritje që shtetet islame ta njihnin Kosovën, por që ishte më shumë një kundërargument te kundërshtarët e Kosovës, në fushatën e tyre globale kundër pavarësisë së saj.
Së dyti: karriera e tij, por edhe karakteri dhe besimi politik, së bashku me sjelljen e avashtë dhe gjykimin e qartë, e bënin zotërues të situatave. Ai i jepte më shumë rëndësi kredibilitetit të shtetit sesa përfitimit të rastit dhe çastit, duke pasur këtu parasysh situatat e shumta që kemi pasur së bashku, ku as nuk jemi mashtruar dhe as manipuluar. Veçanërisht një kurth që mundohej ta ndërtonte Irani se gjoja ata do ta njihnin Kosovën, me kushtin që unë si Ministër i Jashtëm duhet ta vizitoja Teheranin, ku do shpallej njohja e Kosovës.
Së treti: rrallë kam takuar njeri si Boja që ishte plot vullnet dhe plot iniciativë për të përmbushur qëllimin dhe shërbyer Kosovës, duke lobuar me javë të tëra, me ditë të gjata pune dhe me takime të shumta. Shpesh kemi ndarë momente gëzimi me lajmet e mira të njohjes së Kosovës, por edhe dëshpërimi, kur përfaqësues të lartë dhe politikanë me ndikim të shteteve islame as që na takonin fare.
Turqia si lajm i madh dhe Afganistani si lajm interesant i prinë listës së shteteve të para dhe në ditët e para që e njohën Kosovën. Atyre iu bashkuan ndërkohë edhe disa vendet tjera islame. Bashkëpunimin me Bojën në fushën e diplomacisë e nisa kur Kosova në muajt e parë pas shpalljes së pavarësisë nuk kishte as Ministri dhe as Ministër të Jashtëm. Herë me kërkesën e Kryeministrit Hashim Thaçi, herë me kërkesë të partnerëve perëndimorë duhej të kryeja ndonjë punë, nga pozita ime si Ministër për Arsim, Shkencë dhe Teknologji. Kur pak javë pas shpalljes së pavarësisë, me sugjerimin e ambasadores amerikane Tina Kajdanov, duhej të merrja pjesë në Senegal në Konferencën për Bashkëpunim Islamik, takova brenda ditës Bojën dhe Myftiun Tërnava, në takime të ndara. Cilat ishin argumentet se pse vendet islame duhet ta njihnin Kosovën? Çfarë diskursi duhet të kisha para çdo vendi veç e veç? Përderisa mbaja në dorë një listë të shteteve anëtare të kësaj organizate dhe kush përfaqësohej aty, synoja të merrja informata se kush janë ata? Kur merresh me diplomaci, duke përfaqësuar interesin e vendit së bashku me pritjen që qëllimet të përmbushen, duhet ta kuptosh perspektivën dhe mënyrën sesi pala tjetër mund ta shohë Kosovën. Çfarë bindje, analizë dhe paragjykim kanë për vendin tënd, në momentin kur e takon?
Në Senegal, takova shumë shefa shtetesh, ministra të jashtëm dhe përfaqësues të shteteve islame, por as Senegali dhe as viti i parë pas shpalljes së pavarësisë nuk kishte valë të njohjes. Me thënë të drejtën, ne që ishim në Qeveri të Kosovës si anëtarë të saj dhe unë që isha përfshirë nga negociatat e Vjenës kam pritur një valë të njohjes së pavarësisë nga vendet islame. Disa njohje individuale të shteteve islame, që mund të numëroheshin në gishtat e njërës dorë, ishin me rëndësi, por, për mua, më shumë u bënë një moment zhgënjimi sesa gëzimi. Natyrisht, vëmendja kryesore ishte te shtetet e mëdha perëndimore, si SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe te shteteve perëndimore në përgjithësi deri në Kanada dhe Australi. Ishin edhe shtetet perëndimore si valë e parë dhe e madhe, me rreth 50 njohje, duke përmbyllur vetëm vitin e parë të Kosovës së pavarur. Pas Senegalit, kisha pritje edhe të mëdha, dhe pjesëmarrja ime në Konferencën Islamike u bë një kambanë alarmi edhe për një arsye tjetër.
Në Senegal, ku unë e përfaqësoja Kosovën, as nuk kisha mandat dhe as nuk e kishim ndonjë plan për të bërë kërkesë për anëtarësim në Organizatën e Konferencës Islamike, që më vonë ndërroi emrin në OBI. Mirëpo, aty u mor një vendim, duke e ndryshuar dokumentin themelues të organizatës, që një shtet mund të anëtarësohet nëse është shtet anëtar i OKB-së. Kjo do thoshte që Kosova si shtet nuk mund të anëtarësohet, sepse nuk ishte shtet anëtar i OKB-së. Nuk mendonte askush në Kosovë për anëtarësimin e saj në OBI, por kundërshtarët e pavarësisë, si Rusia, Serbia dhe disa vende islame, iniciuan një kushtëzim të tillë. Kjo ishte një goditje kundër Kosovës. Sepse në fakt, ishte thirrje e përgjithshme e shteteve anëtare të OBI për të mos njohur pavarësinë e saj. Derisa ushtroja mandatin tim si Ministër i Arsimit, shpesh bisedoja me Bojen rreth temës kyçe: pse shumë shtete islame nuk e njohin pavarësinë? Çfarë po ndodh me to? Ku po gabojmë ne?
U gëzova shumë kur Qeveria mori vendimin për të dërguar Dr. Bojen të Ngarkuar me Punë në Riad në vitin 2009. Falë një pune të palodhshme të tij, duke koordinuar me Ministrin e Jashtëm Skënder Hysenin, u morën disa njohje me rëndësi. Kështu, filloi të ndryshojë harta e njohjes së Kosovës në Lindjen e Mesme. Ky ishte edhe momentumi i parë i njohjes së Kosovës, duke marrë njohje bilaterale në këtë pjesë të botës. Shtetet kryesore perëndimore kishin qëndrime që në mënyrë të koordinuar që ta njohin pavarësinë e Kosovë, duke e përkrahur krijimin e një shteti të ri. Ndërsa, kjo nuk qëndronte te shtetet arabe dhe islamike, andaj nuk ka pasur njohje të koordinuara për Kosovën, sepse nuk e shihnin si ngjarje të rëndësishme.
Momentumi i dytë u krijua pas shpërthimit të Pranverës Arabe më 2011. Kur ajo nisi si zemërim popullor e kauzë për ndryshim politik, që bartej me shpejtësi në rrjetet sociale, unë nuk shtroja pyetjen se çfarë thoshte ky ndryshim për Lindjen e Mesme dhe vendet e Magrebit? Por, çfarë do thoshte ky ndryshim për Kosovën? Në politikë, veçanërisht në politikë të jashtme, çdo ditë është e re. Ajo çfarë ishte dhe ndodhi dje është ngjarje e kaluar. Por çfarë ndodh sot është në interes të së tashmes dhe të së ardhmes. Çfarë nuk ndryshon për dekada, sepse rendet politike rajonale shpesh janë rigjide e të ngurta, ndryshon befas për pak ditë, në shumë pak javë. Udhëtuam me Bojen dhe me të tjerë në pjesë të ndryshme të botës islame duke mos pritur që mund të merrnim në javët e muajt e parë njohje, por dëshironim të vendosnim kontaktet e para. Dëshironim të kuptonim përmasën dhe pasojat e ndryshimit dhe si mund të përfitonte Kosova.
Në Konferencën e Ambasadorëve që e mbajtëm në Prishtinë, Boja do ishte figura kyçe së bashku me një staf të ri, disa me njohuri të arabishtes, për ta bërë një analizë dhe plan veprimi për njohjen e Kosovës nga shtetet islame. Në fakt, kjo punë duhet të përfshihej në dokumente më të gjera i njohur si Strategji për njohjen e Kosovës, i vetmi i bërë deri më tash që 17 vite pavarësi. Strategjia kishte një plan konkret veprimi me qëllime dhe objektiva të matshme, analiza për vende veç e veç që nuk e kishin njohur Kosovën si dhe për çdo personalitet vendimmarrës me rëndësi.
Si dokument i rëndësishëm, Strategjia me parime, qëllime dhe vlerësime preliminare për kontekstin global të njohjes së Kosovës u miratua në Qeveri. Plani i Veprimit mbeti si dokument sekret në MPJ. Vetëm unë, pak ambasadorë dhe pak bashkëpunëtorë kishin qasje në të. Shtetet do grupoheshin në shtete që janë afër njohjes, shtete me qëndrim neutral, shtete pa qëndrim dhe ato që ishin kundërshtare të hapura të pavarësisë. Deri më 2010 ishin rreth 70 shtete që kishin njohur Kosovën dhe kur jam larguar nga Ministria e Jashtme më 2017 kanë qenë 115 që e njihnin pavarësinë e saj. Kushdo që do shkruajë ndonjëherë histori të diplomacisë së shtetit të ri, do shohë sesa periudhë e suksesshme ishte. Sa shumë punë, mund dhe dije është bërë. Si rezultat, shumica e vendeve islame e njohën Kosovën. Dr. Boja, u propozua natyrshëm më 2012 nga ana ime si Ambasador në Arabinë Saudite, por duke mbuluar edhe shumë vende të tjera arabe dhe islame me një gjeografi globale. Natyrisht që emërimi i tij është mbështetur nga të gjithë, duke njohur kontributin, përgatitjen dhe përvojën e tij të pazëvendësueshme në botën islame.
Personalisht kam parë tek ai edhe diçka më të veçantë: Boja e shihte jetën e tij si seri e përgjigjeve ndaj imperativeve që koha ia cakton kauzës së tij, Kosovës. Njohja e pavarësisë së saj ishte një kauzë personale e tij. Së bashku me Bojen morëm pjesë në çdo takim të OBI, ku Sekretari i Përgjithshëm, Ekemeledin Isanoglu dhe më vonë Iyad Madani, miq të kahmotshëm të tij, u bënë vendimmarrës për të na dërguar ftesa dhe për të përfshirë kërkesën për njohjen e Kosovës në çdo rezolutë dhe deklaratë të saj. Shpesh mbaja edhe fjalime para shteteve anëtare të saj. Por mbi të gjitha, merrnim kontaktet e para gjatë takimeve multilaterale të OBI-it, dhe pastaj vizitonim disa herë, derisa arrinim rezultatet konkrete: njohjen e Kosovës.
U kthyem për të dhe vizituar përsëri qendrën e Ligës Arabe dhe shtetet kryesore të saj, duke takuar përfaqësuesit më të lartë politikë dhe me ndikim. Duhej lënë përshtypja se po tregojmë mirëkuptim për kriza dhe zhvillime në Lindje të Mesme, ku, në fakt, nuk kishim as ndonjë interes dhe as kapacitet institucional për të kuptuar natyrën e konflikteve të vjetra që nga mesjeta, të cilat nuk mund të zgjidhen për dekada me radhë, as nga fuqitë më të mëdha moderne. Ambasador Boja publikonte editoriale dhe jepte intervista të shumta.
Sa herë që unë isha në qendrat vendimmarrëse të Ligës Arabe, të OBI ose në shtetet udhëheqëse islame, ai insistonte që të jepja intervista për mediat, të bëja shkrime të ndryshme e të mbaja fjalime në universitete e institute. Paraqitja dhe përsëritja e argumenteve në forume publike për Kosovën ishte me peshë. Aty ku politikanët vendimmarrës ishin rigjidë ndaj Kosovës, mundoheshim që ta fitonim mendjen dhe zemrën e opinionit publik, gjë që është gjithmonë me rëndësi. Përmbyllnim ditët me ndonjë drekë zyrtare dhe drekë private në shtëpinë e ndonjë miku të tij, të dikujt që ishte ose mund të bëhej i rëndësishëm në të ardhmen.
Diku, Pranvera Arabe përmbushi idealet e saj me ndryshim regjimi. Diku, idealet për demokraci u zëvendësoheshin nga ideologjitë më radikale dhe nga organizata terroriste si ISIS. Diku tjetër, u shndërrohej në një luftë të përgjakshme. Kur lufta shpërtheu në Siri, një luftë më shumë sektare sesa e brendshme qytetare, unë isha shumë aktiv në miqtë e Sirisë, së bashku me shumë ministra të jashtëm globalisht, në grupin e shteteve që kundërshtonin Asadin. Lufta, ndryshe nga se pritej, u bë më shumë një ndeshje gjeopolitike Perëndim-Rusi sesa një luftë për çlirimin nga regjimi i Asadit.
Për shtetet stabile me rregullim mbretëror, me emirë dhe shumë naftë, për shtete të vogla dhe të mëdha, por të dobëta, ndërtuam një diskurs veç e veç se si duhet prezantuar Kosova. Në disa raste, fuqia dhe madhësia e tyre për ta njohur Kosovën ishte mbështetje, që edhe vende të treta ta njohin atë. Në disa raste të tjera, solidariteti i shteteve të vogla për ta mbështetur njëra-tjetrën u bë argument pse duhet njohur Kosova. Një tregim i menduar mirë duhej për shtetet e Gjirit. Një kujdes i veçantë për interpretimin për Egjiptin. Krejt një pikënisje tjetër në Pakistan. Pa përmendur shtetet islamike në Afrikë dhe shumë të tjera në Azi, që përkundër karakterit fetar islam, kulturës politike dhe identitetit ishin tërësisht diçka tjetër. Gjeografia është fati i popujve shpesh dhe më shumë sesa historia.
Gjeografia, kultura politike, historia dhe identiteti e përcaktojnë karakterin e një politike të jashtme dhe i determinojnë qëllimet madhore e pritjet e matshme. Politika e jashtme e çdo vendi fillon brenda, por zgjatet, shtrihet dhe ushtrohet jashtë tij. Gjithmonë e kam parë Bojën, që kur mbështeti rezistencën civile që artikuloi idenë e pavarësisë dhe kur e mbështeti hapur dhe fuqishëm luftën e drejtë të UÇK-së për çlirim, që ai kishte karakter të fortë dhe identitet të qartë personal kombëtar e fetar. Gjithmonë e kam parë atë si Ambasador si përfaqësim më dinjitoz, si një zgjatim i natyrshëm i Kosovës në Lindjen e Mesme. Meqë politika e jashtme fillon brenda shtetit, duke u zgjatur në fqinjësi dhe që i bie në rajonin e Ballkanit, Lindja e Mesme nuk është një fqinjësi gjeografike. Mirëpo, padyshim dhe për arsye të shumta është fqinjësi historike. Ideologjitë fanatike, krizat dhe ngatërresat e saj shkarkohen ndonjëherë, pa dashjen tonë, edhe në atdheun tonë. Çfarë ndodh sot në Lindje të Mesme si krizë e jashtme ndërkombëtare, është bërë temë e brendshme kudo dhe në çdo vend.
Kushdo që sot interesohet apo ka mandat për politikë të jashtme, duhet ta kuptojë botën islame. Sepse ka shumë shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe mbi të gjitha, me ato që kemi marrëdhënie diplomatike, duhet kërkuar mbështetje dhe koordinim për tema të ndryshme bilaterale dhe ndërkombëtare. Bota islame ndikon politikisht dhe kulturalisht kudo në botë. Kushdo që ka një mandat politik, duhet edhe ta kuptojë drejt se çka përfaqëson Bashkësia Islame e Kosovës dhe natyrshëm të bashkëpunojë me të. Si ajo vlerëson qeverinë e re në një vend islam? Kush është njeriu vendimmarrës në ndonjë vend? A ka ndonjë kontakt të vjetër apo të ri? Cilat janë debatet dhe temat aktuale atje?
Duke pasur gjithmonë në mendje dhe zemër orientimin tonë properëndimor dhe duke kuptuar gjithmonë veten si popull evropian, me identitet dhe kulturë evropiane, dhe si shtet për të cilin Amerika është ylli ynë polar dhe Evropa anija në të cilën ndodhemi, çdo skemë bardhë e zi e të menduarit për të arritur qëllimin politik të njohjes së Kosovës nga shtetet islame, është gjykim i gabuar strategjik. Si ka mundur Boja dhe bashkëkohanikët e tij të mbushin boshllëkun, të tërheqin vëmendjen e shoqërisë dhe t’i japin kohës dhe hapësirës kuptim në një kohë kur pavarësia ishte vetëm ide, ndërsa në kohën tonë realitet shtetëror?
Përtej sfidave të shumta, Kosova e ka të përmbyllur identitetin e saj kombëtar dhe fetar. Përtej debateve që duhet të ndodhin në demokraci, shtetin e shoqërinë sot nuk e sfidon askush në këtë dimension. Por, duke mbetur jashtë OKB-se që 17 vite, pa njohjen e plotë evropiane dhe larg anëtarësimit në NATO dhe BE, Kosova ende nuk e ka përmbyllur tërësisht shtetndërtimin e saj. Prandaj, ajo është e sfiduar në identitetin e saj shtetëror. Profili i diplomatëve të ardhshëm të Kosovës që mund ta përfaqësojnë vendin në botën islame duhet ta shohin Bojën si shembull dhe si model. Kjo sepse në një botë që po ndryshon, shtetet arabe sot janë duke ripozicionuar politikisht dhe ekonomikisht më afër shteteve të bllokut BRIC-s, që është bllok rival i Perëndimit dhe kundërshtar i pavarësisë së Kosovës. Janë amerikanët ata që garantojnë për sigurinë e shteteve arabe, duke mbrojtur arkitekturën e rendit gjeopolitik në Lindjen e Mesme e kudo në mesin e shteteve islame. Por duhet përcjellë me shqetësim dhe nga afër afrimin e disa shteteve arabe dhe islame me Kinën, ndërsa tek disa Rusia ende ka shumë ndikim.
Rexhep Boja është një shembull historik diplomatik, që nga një Myfti karizmatik u bë diplomat. Nuk besoj se ka ndonjë rast a shembull që një Myfti të bëhet ambasador, prandaj mendoj se Boja në këtë drejtim ishte unik, duke nderuar nga Lindja e Mesme deri në SHBA dhe Evropë. Kur merresh gjatë me politikë, takon shumë njerëz dhe disa bëjnë përpjekje që të gjejnë një virtyt tek njerëzit me të cilët bashkëpunon, se çfarë i dallon ata nga të tjerët. Boja shquhej për një virtyt që duhet t’ia kërkojmë çdo diplomati të Kosovës sot dhe në të ardhmen: ai e shihte fatin e tij të lidhur me fatin e Kosovës. Për shkak të këtij misioni që ai i kishte dhënë vetes, dijes dhe përvojës, Kosova ishte me fat që kishte një njeri si ai, duke mbështetur Kosovën nga brenda në arritjen e pavarësisë dhe duke përfaqësuar interesat e saj jashtë saj.
Si prijës fetar dhe si diplomat, Boja kishte një vlerë tjetër të veçantë: kishte një zemër dhe mendje të hapur për njerëz të çdo feje, besimi, kulture e gjuhe, duke mos qenë dogmatik e doktrinar. Nuk ndodh shpesh kjo tek njerëzit me karrierë dhe edukim fetar, përderisa edhe vetë diplomatët mund të jenë herë pas here dogmatikë në bindjet e tyre. Boja ka pasur poste dhe funksione të ndryshme, por në thelb ai ishte prijës dhe intelektual që shihte të udhës që ta drejtonte dhe orientonte shoqërinë përmes forcës së mendimit dhe besimit. Çdoherë do kujtoj karizmën e tij, shkëlqimin e syve të tij, fytyrën e buzëqeshur, mendjen e thellë dhe gjykimin e prerë, duke u përkulur sot para misionit dhe veprës madhore të tij.
Autori i këtij opinioni të publikuar në Gazetën Express është Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish-ministër i jashtëm i Kosovës. Ky tekst është fjalimi i tij në Konferencën Shkencore për Rexhep Bojën, e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, më datë 19 tetor 2024.