Geci: Mehdi Bardhi më ka thënë që personazh kryesor në ngjarjen e Qirezit ka qenë Hashim Thaçi

Dëshmitari Fadil Geci tha se ka biseduar me Mehdi Bardhin lidhur me ngjarjen që i kishte ndodhur këtij të fundit kur kishte shkuar në Qirez, ku pretendohet se delegacioni i partive politike shqiptare ishte keqtrajtuar nga persona duke përfshirë edhe Thaçin.

Dëshmitari u pyet se çfarë bëri konkretisht Thaçi në Qirez sipas asaj që ka thënë Mehdi Bardhi dhe ai tha se personazh kryesor atje ishte vetë tashmë i akuzuari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Personazhi kryesor në Qirez ka qenë Hashim Thaçi. Çfarë i bëri, ai e ka edhe në libër. Mua m tha që jem të maltretim. E dove iu ka qit birra e pula. Ka ba mirë që iu ka qit birra e pula qatyne”, tha Geci.

Sa i përket pjesës së ‘birrave e pulave’, Geci tha se në Hagë e kishte thënë një gjë të tillë Gjergj Dedaj.

“Këtu një veprimtar që ka thanë se birra edhe pula na kanë qit, mirë është ajo farë punë, mu ga nerim i madh. Gjergj Dedaj e ka thanë po me doket. Ai e din. Më mirë e din ai”, tha Geci.

Tutje, Geci u pyet se a i ka maltretuar me duart e veta Thaçi këta persona në Qirez.

“Jo në Qirez po aty ku i kanë qu në Baicë a ku i kanë qu. Në Qirez vetëm i kanë ndalu. Kurse, në Baicë i kanë qu edhe atje kanë pas maltretime”, tha Geci duke shtuar se Sanije Aliu nëse dëshiron mund ta thotë të vërteten pasi ka qenë prezent aty në Qirez.

Dëshmitari tha se Mehdi Bardhi nuk i ka thënë që i ka qit Thaçi pula. Si rrjedhojë, gjyqtari tha se nuk është i interesuar për pulat por për atë që i ka thënë Bardhi dëshmitarit lidhur me këtë rast dhe përfshirjen e Thaçit në këtë situatë.

“Rrahjet i kemi pasur prej z. Thaçi. kështu me ka thanë Mehdi Bardhi mu. A ka shtu, a s’ka shtu. A u kanë qashtu? Ai e din vetë se unë s’jam kanë, por mua me ka thanë qeshtu”, tha Geci.

Tutje, Geci u pyet se kush ishte pjesëmarrës në atë grup që kryen rrahjen e pretenduar në Baicë.

“Aty ishte edhe Sabit Geci, por kryesori që e ka marrë përgjegjësinë, me i pyet, me i ngjoftë, me i ditë ka qenë Hashim Thaçi. Edhe Gani Koci ka qenë që i ka njoftë mirë ata persona”, tha Geci.

Veç tjerash, Geci tha se Mehdi Bardhi ka mëndu që Gjergj Dedaj është maltretuar duke menduar se është një person me emrin Rexhep Gjergji i cili sipas tij ka qenë i LDK-së.

Kur ishte tema tek Cen Desku dhe Jakup Kastrati, dëshmitari tha se ata kanë thënë që Hashim Thaçi ishte pas asaj që iu kishte ndodhur atyre.

Barthe u pyet edhe për një deklaratë të dëshmitarit ku kishte thënë se është në dijeni të shumë rasteve kur personat që janë vrarë më pas janë shpallë heronj.

“Ai rast është Haki Imeri. Rasti i Haki Imerit është. Është vra dhe është shpall hero. Tash kush është tradhtar? A është tradhtar vrasësi a heroi? Një kohë është quajt tradhtar tani është quajt hero. Ai ka qenë vërtetë hero, por pse me u quajt tradhtar edhe pse me u vra?”, tha Geci.

Dëshmitari u pyet se a ka dëgjuar që ka pas një dokument që është lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ku thuhet se komunikata 59 nuk është lëshuar nga ata.

“Nuk kam degju. I nderuar gjykatës, pasojat kanë qenë se dy meshkuj më të mirë të Drenicës janë vra. Janë vra. Njëri i ka lënë dy vajza e njeri ka pas me u martu edhe një javë-truproja e presidentit. Dy vëllezërit e mi rënë janë të plagum, zoti i ka shpetu. Pasoja e komunikatës 59”, tha Geci.

Përpara kësaj, dëshmitari u morë në pyetje edhe nga mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit Ellis.

Dëshmitarit Geci iu prezantua një deklaratë e cila është marrë nga një dëshmitar që sipas Ellis quhet Hajriz Zeqiraj.

“Thuhet si më poshtë; Adem Salihu më tha që do të më jepte 50 mijë euro më shumë domethënë… mijë euro në qoftë se unë do të bëja deklaratë me shkrim, me nënshkrimin tim dhe ta bëja me incizim CD duke folur unë në atë CD. Unë e pyeta se çfarë duhet që unë të thoja. Ndërkohë që ai mu drejtua duke me thënë që ti ki me dhënë deklaratë lidhur se gjoja unë kam dashur që ta mbys Adem Salihun sepse me ka paguar dikush për vrasjen e tij”, lexoi Ellis këtë deklaratë të këtij dëshmitari.

Si rrjedhojë, Ellis e pyeti dëshmitarin se a ka dëgjuar për raste të tilla ku njerëzit kanë ofruar ryshfet për dëshmi të rreme lidhur me krime kundër anëtarëve të LDK-së.

“Sa i përket Adem Salihut qitash betohna se është rren edhe e montume. Adem Salihu është një personalitet shumë i fortë edhe kjo është montim për me e hjek orientimin për me mujt me thanë që ka edhe këso. Gjithçka kanë mujtë me ba. Adem Salihu është një djalë i fortë dhe i pathyeshëm dhe kurrë nuk ka bë kështu dhe nuk bën. Tash para juve po betohem që është qajo qashtu, unë e marrë përsipër dhe e marrë përgjegjësinë. Rren është. E montume është”, tha Geci.

Ai shtoi se Adem Salihu është personalitet i fortë që kundërshtarët kanë munduar me çdo formë që ta thyejnë.

Më kaq përfundoi seanca e sotme për të vazhduar edhe nesër në mëngjes me dëshminë e këtij dëshmitari.