Gërvalla në Strasbourg: Po presim me padurim të ecim drejt anëtarësimit të plotë në KiE

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, në Strasbourg ka thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe se “presim me padurim” për anëtarësim të plotë në organizatën e të drejtave të njeriut.

“Në Këshillin e Evropës, në takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, z. Alain Berset theksova se Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe presim me padurim të ecim përpara drejt anëtarësimit të plotë dhe qytetarët tanë të përfitojnë nga mekanizmat mbrojtës të Këshillit të Evropës”.

Gërvalla ka thënë se Kosova është e gatshme edhe të përfitojë nga KiE, por edhe të kontribuojë në forcimin e vlerave të demokracisë.

“Si një shtet me përparim të jashtëzakonshëm në sundim të ligjit, demokratizim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut, të konfirmuara edhe nga raportet më kredibile ndërkombëtare, Kosova është gati të përfitojë nga mekanizmat mbrojtës të kësaj organizate dhe të kontribuojë në forcimin e vlerave të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në nivel evropian”.

Kërkesa e Kosovës nuk u fut në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave në majin e këtij viti edhe pse Asambleja Parlamentare kishte votuar me një shumicë votash pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Si kusht Kosova pati dërgimin e draftit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese, të cilën s’e bëri.