Vazhdon vaksinimi nga ajri kundër sëmundjes së tërbimit në Kosovë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka filluar sot fazën e dytë të vaksinimit nga ajri kundër sëmundjes së tërbimit, e cila do të zgjasë pesë ditë, në varësi të kushteve klimatike.

Sipas njoftimit në këtë fazë janë planifikuar të shpërndahen 250 mijë doza të karrem vaksinave nga ajri në zonat malore të Kosovës, si pjesë e një përpjekjeje për të parandaluar përhapjen e sëmundjes së rrezikshme, e cila transmetohet kryesisht nga dhelprat tek kafshët dhe njerëzit.

“150 vaksina do të shpërndahen fizikisht në terren. Përmes të cilave bëhet imunizimi i kafshëve të egra nga sëmundja e ‘’Tërbimit’’. Janë planifikuar me kohë hartat zonale përmes koordinatave për hapësira në të cilat shpërndahen vaksinat”, thuhet në njoftim.

Përmes këtij projekti, bëhet imunizimi i kafshëve të egra nga sëmundja e tërbimit. Vaksinimi përfshin zonat malore brenda territorit të Kosovës dhe malet e brezit kufitar, që janë vendet më të rrezikuara nga përhapja e sëmundjes.

Dhelprat konsiderohen si bartësit kryesorë të sëmundjes së tërbimit, e cila përmes kontaktit me kafshët shtëpiake, sidomos qentë, mund të transmetohet edhe tek njerëzit. Për shkak të rrezikut të madh që paraqet kjo sëmundje, vaksinimi i kafshëve të egra konsiderohet masë thelbësore për parandalimin e saj.

AUV ka siguruar qytetarët se vaksinat janë të sigurta dhe nuk paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve apo kafshëve. “Nëse hasen në vendbanime, rekomandohet që ato të largohen duke përdorur dorëza. Nëse ndodh që të keni kontakt me ndonjë vaksinë të hapur apo të dëmtuar, është e rëndësishme të vizitoni qendrën më të afërt shëndetësore,” paralajmëron AUV.

Ky projekt është financuar nga buxheti shtetëror i Republikës së Kosovës dhe ekzekutohet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Falë projekteve të ngjashme të vaksinimit nga ajri, vendi nuk ka shënuar asnjë rast të tërbimit për një kohë të gjatë, duke arritur rezultate të suksesshme në luftën kundër kësaj sëmundjeje.