Avokati i Jakup Krasniqit i thotë Gecit: Po e përdorni gjykatën për deklarata politike

Avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis i tha dëshmitarit Fadil Geci se po e përdor gjykatën për deklarata politike.

“Unë po ju them juve që po e përdorni këtë gjykatë për të bërë deklarata politike”, tha Ellis.

Kjo deklaratë e avokatit Ellis erdhi pasi dëshmitari tha se njerëzit janë kërcënuar e janë vratë për ta shuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Bardhyl Mahmuti e ka sulmu LDK-në me krejt fuqinë, kundërshtar të LDK-së, komplet ekipi e edhe ai person. Kurrgjë këta nuk kanë pas të bëjnë me LDK-në. LDK-ja për këta u kanë pengesë për me marrë frymë dhe kanë dashët me i likuidu të githa pengesat që i kanë pas. Në Drenicë, katër bashkësi lokale ma të mëdhaja, Xhafer Behrami është vra- drejtor i shkollës e kryetar i nëndegës. Haki Imeri- sa u kanë Haki Imeri, dy fakultete s’ka pas parti tjetër atje. Bahtir Kastrati është kërcenu me jetë. Ismet Rrahmani, themelues i Akademisë së parë ushtarake në Aqarevë është vra”, tha Geci.

Ai shtoi se janë kërcënuar njerëz të tjerë për ta shuar LDK-në, e për “me ecë tjetri organizim”.

Geci tha se persona të caktuar duke përfshirë edhe të akuzuarit, me luftën për pushtet e kanë dëmtuar Kosovën.

“Me luftën për pushtet kanë gabu e i kanë ba dëm Kosovës. Më mirë është kanë me i njoftë institucionet, me e njoftë shtetin e me luftu”, tha Geci derisa u ndalua nga avokati Ellis.

Për Ramë Bujën, dëshmitari tha se ka qenë kryetar i degës së Lipjanit në kuadër të LDK-së, por që sipas tij ai ka qenë marksist-leninist.

“Një djalë i mirë, i mençur e me tana të mirat, por marksist-leninist ka qenë edhe është qashtu hale. Shumë e respektoj edhe m’don edhe e du, po qashtu është”, tha Geci.