Musliu: Nëse PDK-ja do të qeveriste si LVV-ja, uroj që kurrë të mos i fitojë 50%

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka folur sot për qeverinë “Kurti”, për të cilën ka thënë se ka dështuar t’i realizojë premtimet dhe kërkesat e qytetarëve.

Musliu uroi që Kosova të mos ketë më asnjëherë një qeveri të tillë, ndërsa shtoi se nuk do të donte që PDK-ja të fitonte 50%, nëse do të qeveriste në këtë mënyrë si partia në pushtet, transmeton Zeri.info.

“Unë e them me bindje të plotë që një qeveri e tillë uroj mos u përsërittë asnjëherë dhe nëse PDK-ja do të qeveriste kështu si LVV-ja, lutem që partia ime të mos i fitojë 50%, sepse një parti që fiton 50% të besimit të qytetarëve në zgjedhje dhe nuk arrin as 3% të realizojë premtimet që i ka bërë në fushatë dhe kërkesat e qytetarëve, nuk guxon të përsëritet një qeveri e tillë”, tha Musliu në emisionin “Destinim” në “Radio Prishtina”.

Ajo shtoi se LVV-ja po tallet edhe me bashkësinë ndërkombëtare, e si pasojë e kësaj Kosova sot ka raporte të ngrira në gjithë botën.

“LVV-ja është tallur me gjithçka, me besimin e qytetarëve, duke abuzuar besimin, është tallur me partitë opozitare, me Kuvendin dhe në fund edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Ne si asnjëherë më parë kemi raporte të ngrira me të gjithë botën”, shtoi Musliu në “Radio Prishtina”. /Zëri