Detaje nga arrestimi i Ilir Metës, akuza kundër tij

Ilir Meta, ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe kryetari aktual i Partisë së Lirisë, është arrestuar në bazë të një urdhër arresti nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Arrestimi u ekzekutua nga Policia e Shtetit dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit pranë hyrjes së kryeqytetit, në aksin Durrës - Tiranë.

Arrestimi i Metës ndodhi në hyrje të kryeqytetit pranë kthesës së Kamzës. Meta u ndal nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit bashkëpunuar me Policinë e Shtetit, teksa lëvizte me makinë.

Meta ka qenë nën hetim për disa muaj, me akuzat që lidhen me një kontratë lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastrimin e dyshuar të parave. Dyshimet përfshijnë edhe kallëzime për shpenzime të paligjshme, duke përfshirë ndërhyrjet estetike jashtë vendit nga anëtarë të familjes së tij.

Në të kaluarën e tij, Meta ka mbajtur pozicionet më kyçe në shtetin shqiptar, duke përfshirë detyrat e kryeministrit, ministrit të Jashtëm, kryetarit të Kuvendit dhe presidentit të Republikës. Arrestimi i tij shënon një moment të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Marrëdhëniet e Metës me SPAK-un kanë qenë të tensionuara. Ai ka pasur përplasje publike me kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin, duke e akuzuar strukturën për manipulime politike dhe zbatim urdhrash nga kryeministri aktual, Edi Rama.

Meta ka paraqitur deklarime në SPAK për disa çështje, duke përfshirë ato që lidhen me mosdeklarimin e pasurisë dhe korrupsionin. Ndërkohë, shoqëria shqiptare pret një konfirmim zyrtar nga SPAK-u për akuzat e sakta që rëndojnë mbi të.