AGK-ja themelon Rrjetin e Grave Gazetare të Kosovës

Në bashkëpunim me 25 kolege gazetare e të organizatave ndërkombëtare, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), pas identifikimit të nevojave, shqetësimeve e kërkesave të gazetareve, vikendin që lamë pas vuri themelet e Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës.

Koleget prezente propozuan e votuan Bordin Këshillëdhënës të këtij Rrjeti, i cili ka në përbërje tri super gra të dëshmuara në gazetari si: Leonida Molliqaj – redaktore në QIKA, Gentiana Begolli-Pustina – udhëheqëse e Departamentit për Komunikim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në RTK, si dhe gazetaren nga Klan Kosova, Qëndresa Tërshani.

Masha Mileusniq e ndau përvojën e saj si mentore e themelueseve të këtij rrjeti, ku foli më gjerësisht për rëndësinë dhe praktikat më të mira të funksionimit të rrjeteve të grave gazetare.

Misioni i këtij Rrjeti është krijimi i një ambienti gjithëpërfshirës për gratë që punojnë në medie, parandalimin e përdorimit të gjuhës seksiste dhe mizogjene në diskurs publik, si dhe krijimi i një hapësirë të sigurt për adresimin e problemeve që hasin në vendin e punës apo gjatë punës në terren.

Rrjeti është i hapur për anëtarësim të secilës grua që punon në sektorin medial, dhe i inkurajojmë të gjithë koleget që të anëtarësohen në këtë Rrjet, në mënyrë që të kontribuojmë sa më shumë në përmirësimin e pozitës së gruas në vendet e punës, por edhe në diskursin publik.

“I falënderojmë përzemërsisht për kontributin e dhënë kolegeve prezente në këtë takim të parë të këtij rrjeti, si dhe mbështetjen e padiskutueshme të dhënë nga British Council Kosovo, NDI Kosovo, OSCE Mission in Kosovo dhe European Union in Kosovo”, thuhet në njoftimin e AGK-së.