O’Brien dhe Eichhorsti sot në Kosovë, pasdite në takim me kryeministrin Kurti

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien dhe drejtoresha e përgjithshme për Evropën në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme, Angelina Eichhorst, pritet të arrijnë sot për vizitë në Prishtinë.

Burime të Zeri.info thonë se O’Brieni dhe Eichhorsti do të zhvillojnë takim me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas të njëjta burimeve, takimi pritet të mbahet pasditen e sotme, ndërkaq ora e saktë nuk dihet ende.

Nga ana tjetër, nga Zyra e Kryeministrit nuk i janë përgjigjur interesimit të “Zërit” se ku dhe kur do të mbahet ky takim.

O’Brien dhe Eichhorsti gjatë ditës së diel kanë qëndruar në një vizitë të paparalajmëruar në Serbi, ku janë takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq.

Vuçiqi nënvizoi se kishin shkëmbyer mendime për rolin e Serbisë në Ballkanin Perëndimor.

Kosova ishte një nga temat kryesore të diskutimit dhe Vuçiqi theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut, me mbështetjen e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. /Zëri