Raportohet se vdiq në SHBA kleriku i famshëm turk, Fethullah Gulen

Kleriku turk, Fethullah Gulen, për të cilin Ankaraja thotë se qëndronte prapa tentativës së dështuar për puç në vitin 2016 në Turqi, ka vdekur në Shtetet e Bashkuara, ku ishte duke jetuar, raporton televizioni NTV dhe media të tjera turke.

Raportimet nuk mund të konfirmoheshin menjëherë, raporton agjencia “Reuters”.

Guleni kishte ndërtuar një lëvizje të fuqishme islame në Turqi dhe përtej saj, por vitet e mëvonshme i kishte kaluar duke qenë i akuzuar për orkestrimin e një tentative të dështuar për puç kundër presidentit turk, Rexhep Erdogan, akuza që ai i kishte mohuar.

Në disa llogari të lidhura me organizatën FETO, përfshirë ato të nipave të Gulenit, thuhet se ai ka vdekur nga problemet kardiovaskulare.

Guleni rishtazi ishte parë në një adresë të re banimi, duke i konfirmuar dyshimet se ai ishte zhvendosur nga rezidenca e tij kryesore më herët këtë vit mes atyre që ishin quajtur “luftime të brendshme” në organizatë.

Guleni jetonte në një pronë të madhe në Pensilvani për më shumë se dy dekada, të cilën e shfrytëzonte edhe si seli qendrore të organizatës së akuzuar për puçin e dështuar më 15 korrik 2016 në Turqi, kur 252 njerëz ishin vrarë e mbi 2.700 të tjerë ishin plagosur, transmeton Nacionale.

Raportohej se ai po ballafaqohej me probleme serioze shëndetësore, përfshirë demencën për shkak të moshës së shtyrë. Ai u pa të dielën në një paraqitje të rrallë duke dalë nga shtëpia e re në Saylorsburg.

Uebfaqja “Herkul”, që i publikon predikimet e Gulenit, tha në rrjetin X se ai kishte vdekur të dielën në mbrëmje në spitalin ku po trajtohej.

Guleni dikur ishte aleat i Erdoganit, por ata i kishin prishur marrëdhëniet në mënyrë spektakolare, ndërsa presidenti turk më vonë e kishte akuzuar atë për puçin e dështuar të vitit 2016, kur ushtarë të rebeluar kishin përdorur aeroplanë luftarakë, tanke e helikopterë në përpjekje për ta rrëzuar pushtetin.

Guleni ishte duke jetuar në ekzil të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1999.