Ylli i Bayer Leverkusenit i shpëtoi më të keqes në një aksident të rëndë trafiku
Sulmuesi i Bayer Leverkusenit, Victor Boniface, ka shpëtuar me lëndime të vogla pasi u përfshi në një aksident të rëndë trafiku.
Reprezentuesi nigerian shënoi golin e fitores për Leverkusenin në takimin ndaj Eintracht Frankfurtit që përfundoi me rezultat 2-1 në të mirë të ‘Aspirinave’.
23-vjeçari u dërgua në spital po atë mbrëmje pasi vetura Mercedes me të cilën po udhëtonte u përfshi në një aksident të rëndë.
Leverkusen ka bërë me dije se Boniface është mirë dhe se sulmuesi ka pësuar disa lëndime të vogla në dorë.
Një burim pranë Boniface i ka thënë gazetës gjermane Bild se sulmuesi po bën mirë duke marrë parasysh rrethanat dhe është vetëm pak i lënduar.
Boniface postoi disa fotografi të ndryshme dhe një video të makinës së tij tërësisht të shkatërruar në Instagram.
Është lënë të kuptohet se Boniface nuk ishte personi që ishte duke vozitur veturën, por kishte marrë rrugë në drejtim të aeroportit të Frankfurtit për të marrë disa miq.
Leverkuseni tashmë do të ketë punë në Ligën e Kampionëve ku do të udhëtojnë në Francë për takimin ndaj Brest./telegrafi