Haradinaj merr titullin anëtar nderi i përjetshëm i Federatës “VATRA”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u nderua me titullin "Anëtar Nderi" i përjetshëm i Federatës Pan-Shqiptare `VATRA` gjatë një vizite në selinë e organizatës në New York.

Gjatë takimit ai theksoi nevojën për përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale me SHBA-në dhe rëndësinë e anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në NATO.

"Kosova duhet të punojë për një plan strategjik të sigurisë që të sigurojë nga bashkësia ndërkombëtare një plan masash për anëtarësim të shpejt në NATO, pasi Kosova ka ushtri të aftë, profesioniste, një gjeneratë e shkëlqyer profesionistësh," deklaroi Haradinaj. Ai u bëri thirrje shqiptaro-amerikanëve, veçanërisht Federatës 'VATRA', të angazhohen pranë autoriteteve amerikane për të përshpejtuar këtë proces.

Kryetari i AAK-së vlerësoi rolin e diasporës në avancimin e interesave kombëtare të Kosovës. "Pritja nga vëllezërit dhe motrat shqiptare në selinë e Federatës Pan-Shqiptare 'VATRA' më bën gjithmonë të ndjehem i nderuar dhe të kuptoj se sa i rëndësishëm është ky institucion për shqiptarët kudo që janë," shtoi ai, duke shprehur mirënjohjen për punën e madhe që po bën 'VATRA' dhe pritjen e ngrohtë vëllazërore.