Përse trupi kërkon më shumë ushqim në dimër?
Trupi i njeriut është në gjendje të flasë dhe të shprehet qartë për atë që ka nevojë.
Nëse njeriu është i vëmendshëm, atëherë do të mësojë të ushqehet më shumë me produkte natyrale të stinës.
Produktet e stinës janë burimet më të mira natyrale të vitaminave dhe mineraleve. Ato jo të stinës nuk ofrojnë sasinë maksimale të ushqyesve për të cilat trupi ka kaq shumë nevojë.
Vjeshta dhe dimri
Në vjeshtë dhe në dimër ditët janë më të freskëta dhe më të shkurtra, prandaj edhe organizmi nuk ka më nevojë për shalqi apo sallata të lehta, por për ushqime më të plota dhe të ngrohta.
Duke qenë se në dimër aktiviteti fizik është më i ulët dhe jemi të prirur që të qëndrojmë sa më shumë në shtëpi apo në ambiente të mbyllura uria rritet edhe më shumë derisa edhe vet trupi kërkon më shumë ushqim.
Tërheqja ndaj ushqimeve më të ngrohta siç janë supat me perime, drithërat, arrorët dhe avokado është automatike dhe natyrale, sepse është vet organizmi që kërkon të konsumojë ushqime të ngrohta dhe të plota.
Në vjeshtë mollët shijojnë më shumë sepse janë të stinës. Ato janë ndjeshëm më të pasura me fibra dhe pektinë të cilat e ndihmojnë organizmin të tretë më mirë ushqimet.
Dimri vjen me një larmi agrumesh që na pajisin me doza të larta të vitaminës C.
Kjo vitaminë është një nga mburojat më të mira kundër viruseve dhe baktereve që na kanosen në stinën e ftohtë.
Ekspertët argumentojnë se kur hamë produkte të stinës, pra fruta dhe perime që mundësohen nga nëna natyrë, organizmi ynë bëhet më i fortë dhe më i shëndetshëm.
Supat me perimet e stinës janë gjithnjë një ushqim i shkëlqyer dhe bazë mbrojtëse ndaj dukurive të motit dhe shëndetit.
Ushqyerja e shëndetshme sipas çdo stine
Ekspertët janë të mendimit se njeriu duhet të jetë më i vëmendshëm ndaj produkteve të stinës dhe të konsumojë më shumë prej tyre për të qenë i shëndetshëm.
Le të marrim si shembull stinën e verës. Në këtë stinë, njeriu kalon më shumë kohë në ambiente të jashtme, është më aktiv dhe i gëzohet orëve më të gjata në diell.
Produktet më të mira të stinës së verës janë hidratuese dhe plotësojnë nevojat e organizmit.
Këtu përfshihet shalqiri, frutat e pyllit, kastravecat, pjeshkët, pjepri dhe misri.
Këto ushqime jo vetëm që janë të pasura me vitamina, minerale dhe karbohidrate, por janë të freskëta dhe të stinës.
Shalqiri që prodhohet në sera dhe serviret në dimër nuk ka të njëjtin fuqi ushqyesish për organizmin.
Ushqyerja me produkte të stinës i jep trupit vitaminat më të domosdoshme dhe krejt natyrale.