Paradoksi i BE-së, jep fonde nga plani i rritjes për Kosovën por masat vazhdojnë

Në kuadër të Procesit të Berlinit, ndër të tjera një lajm të mirë e dha Presidentja e Komisionit Evropian.

Ursula Von Der Leyen tha se brenda këtij viti, do të ndahen mjetet e para nga fondi prej 6 miliardë eurosh sa janë pjesë e Planit të Rritjes.

Nga programi që synon t’i afrojë më afër BE-së shtetet e Ballkanit Perëndimor,  Kosova parashihet t’i përfitojë 826 milionë euro.

Megjithëse vendi është ende nën masa nga BE-ja, të paktën për këtë fond është dhënë aprovimi nga Komisioni i IPA-s që dha pëlqimin për agjendat e reformave të Kosovës dhe katër vendeve tjera të rajonit, pos Bosnje e Hercegovinës.

Pavarësisht kësaj, sipas ish-ministres së Integrimin Evropian, tani pjesë e PDK-së, Kosova mund t’i gëzoj këto para vetëm atëherë kur BE-ja vendos pro heqjes së masave ndëshkuese për Prishtinën zyrtare.

“Sigurisht do të ishte shumë e rëndësishme para shumë të nevojshme, por megjithatë në rrethanat në të cilat Kosova është nën sanksione për një ndihmesë të tillë as që bëhet fjalë sepse nuk mund të jesh përfituese derisa je nën sanksione. Ne jemi dëshmitarë të kohës sepse të gjitha fondet e paraantarësimit apo IPA fondet janë pezulluar për Kosovën po aq sa janë pezulluar edhe takimet e nivelit të lartë”, ka thënë Mimoza Ahmetaj, Ish-ministre e Integrimit Evropian.

Por, për përfitim nga Plani i Rritjes ndryshe nga nënkryetarja e PDK-së, mendojnë nga shoqëria civile.

“Unë mendoj që masat nuk do të duhej të ishin problem që Kosova të përjashtohet ose të paktën përkohësisht të mos ishte përfituese e Planit për Rritje për shkak se ky është një instrument shtesë që nuk hyn në kuadër të fondeve IPA, prandaj edhe si i tillë nuk do të duhej të pengohej nga masat ekzistuese të cilat janë”, ka thënë Egzon Osmani, Drejtor i Programit – FES.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje për televizionin ka thënë se nuk asgjë të re sa i përket masave ndëshkuese pos që për to vendosin vendet anëtare të BE-së.

“Diskutimet për të hequr masat për Kosovën po vazhdojnë ndërmjet vendeve anëtare dhe Këshillit”, tha Stano.

Plani i Rritjes përbëhet nga 2 miliardë euro në formë grantesh dhe 4 miliardë kredi. /dukagjini