Stano konfirmon takimin e kryenegociatorëve në Bruksel për dialogun Kosovë - Serbi

Të enjten e 24 tetorit në Bruksel pritet të zhvillohet rundi i ri i takimeve në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Përshëndetje, po, mund të konfirmoj takimin e kryenegociatorëve në Bruksel më 24 tetor”, tha Stano për Dukagjinin.

Më 17 shtator kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë Petar Petkoviq kanë zhvilluar dy herë bisedime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili nuk arriti t’i bindë ata për një takim trepalësh në Bruksel.

Herën e fundit kur është zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti.

Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime polare rreth asaj që kishte ndodhur në takime. Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.