Aktakuzë dy zyrtarëve komunalë të Vushtrrisë, pajisën kundërligjshëm katër persona me dokumente

Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kundër dy zyrtarëve të gjendjes civile në Komunën e Vushtrrisë.

Sipas Prokurorisë, aktakuza është ngritur ndaj pandehurit H.RR., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare ose autoritetit zyrtar”, si dhe kundër të pandehurit L.V., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

“I pandehur H.R. akuzohet se në katër (4) raste në vitet 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar – zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Vushtrrisë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personave tjerë, si dhe shkeljes së drejtave të personave të tjerë, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për gjendjen civile nr. 04/L-003, Ligjit për shtetësinë e Kosovës dhe udhëzimet administrative ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile katër (4) persona, me të dhëna fiktive, pa qenë të regjistruar në librat amëz të lindjes dhe kështu i ka pajisur kundërligjshëm me numër personal dhe dokumentacion”.

“I pandehuri L.V. akuzohet se më datë 19 qershor 2017, në Zyrën e Regjistrimit Civil, i njëjti ka vënë në lajthim organin kompetent – Zyrën e Regjistrimit Civil në Komunën e Vushtrrisë dhe ka vërtetuar një çështje të pavërtetë në atë mënyrë që pa qenë i regjistruar në librat amëz të lindjes në gjendjen civile, me dokument të falsifikuar ka arritur të regjistrohet dhe të marrë numrin personal dhe të pajiset me dokumentacion”, thuhet në njoftim.

Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t`i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t`i dënojë sipas ligjit. /Zëri