Së shpejti nis evidentimi i kosovarëve që Gjermania i regjistroi edhe si shtetas të Serbisë

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar që shumë shpejt do të përfundojë evidentimi i qytetarëve të Kosovës të regjistruar me automatizëm edhe si shtetas të Serbisë në komuna të ndryshme gjermane.

Ajeti ka pohuar se ky ka qenë një problem që ka prekur mijëra qytetarë të Kosovës që kanë jetuar në Gjermani.

“Pas përpjekjeve të vazhdueshme dhe angazhimit tonë diplomatik, ju njoftojmë se shumë shpejt do të përfundojë evidentimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës të regjistruar me automatizëm edhe si shtetas të Serbisë në komuna të ndryshme gjermane. Ky problem i trashëguar prej më shumë se 16 vjetësh ka prekur dhjetëra mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës me vendbanim në Gjermani, duke u shkaktuar probleme në forma të ndryshme”, ka pohuar ai.

Tutje, Ajeti ka shkruar se “nga takimi ynë i radhës me Bernd Krösser, sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme, pranuam konfirmimin zyrtar për zgjidhjen e këtij problemi të kamotshëm. Shumë shpejt do t’ju informojmë mbi përmirësimin praktik të këtij procesi”. /Zëri