Vritet fotoreporteri në Kaliforni, nën akuzë djali i tij adoleshent

Një fotoreporter që ka mbuluar ngjarje botërore, që nga konflikti në ish-Jugosllavi, rënia e Murit të Berlinit dhe lirimi nga burgu i Nelson Mandelës, u godit me thikë për vdekje ndërsa po kryente një ecje në fundjavë në malet San Gabriel. Autoritetet kanë arrestuar dhe akuzojnë djalin e tij 19-vjeçar, si autor të dyshuar për krimin.

Paul Lowe, 60 vjeç, një fotograf britanik, gazetar lufte dhe profesor në Universitetin e Arteve në Londër, u shpall i vdekur të shtunën tha zyra e Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit. Autoritetet thanë se ai vdiq nga një plagë me thikë në qafë.

Një person, i cili u identifikua më vonë si djali i zotit Lowe-t, u pa duke u larguar nga vendngjarja.

Paul Lowe ishte profesor mbi konfliktin, paqen dhe imazhin në Kolegjin e Komunikimit të Universitetit të Arteve në Londër. Universiteti tha se ka qenë “një koleg i vlerësuar thellësisht” për më shumë se dy dekada.

“Paul la një trashëgimi të pabesueshme si fotograf, kritik dhe jo më pak të rëndësishme, si një profesor vërtet i dhembshur”.

Libri i tij “Boshnjakët” dokumentoi 10 vite luftë dhe situatën e pasluftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai u botua në vitin 2005. Të tjerë libra të tij janë “Masterklasa e fotografisë”, “Raportimi i rrethimit të Sarajevës” apo “Fotografia, Dëshmitë dhe Luftërat Jugosllave, 1988-2021”.

Në një intervistë për gazetën ‘The Guardian’, zoti Lowe ishte shprehur se ai ishte përqendruar tek viktimat dhe pacientët në spital gjatë ditëve të para të rrethimit të Sarajevës. Ai ishte i interesuar të kuptonte atë që ndodh me njerëzit kur “detyrohen të jetojnë në kushtet mesjetare të shkaktuara nga një rrethim”.

“Njerëzit do të rrezikonin jetën e tyre për një kënaqësi të vogël”, i tha ai gazetës në atë kohë.

Në homazhet për gazetarin morën pjesë një numër i madh njerëzish. /euronews