Lansohet fushata “Bëje tënden. Regjistroje Pronën!”

Të mërkurën është lansuar fushata e vetëdijesimit për regjistrimin e pronës së paluajtshme në Kosovë "Bëje tënden. Regjistroje Pronën!".

Kjo fushatë shënon hap drejt fuqizimit të grave, të rinjve dhe grupeve të margjinalizuara në Kosovë për qasje të barabartë dhe pa diskriminim në të drejtën e pronës.

Në hapje të konferencës, drejtori i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi, tha se ky projekt shënon një fazë të re dhe jetike për të ndërgjegjësuar qytetarët në regjistrimin e pronës së paluajtshme, veçmas për audiencat e synuara si gratë, të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara.

“Kjo nismë e përbashkët ka për qëllim të forcojë të drejtat e pronësisë për qytetarët e Kosovës dhe të adresojë sfidat të cilat përballen qytetarët në rastin e regjistrimit të pronës në vendin tonë. Deri më tani organizatat partnere të programit kanë zhvilluar më shumë se 3 mijë e 500 vizita derë më derë, ndërsa 6 mijë e më shumë është targeti për të informuar qytetarët”, theksoi Kushtrim Kaloshi – drejtor i ATRC-së.

Partnerët e tjerë të këtij projekti nga Ministria e Mjedisit, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas kanë theksuar nevojën e domosdoshme për këtë fushatë si një mënyrë e duhur për të mbështetur edhe në aspektin e ndërgjegjësimit publik dhe punën e institucioneve shtetërore në ndërlidhje me sektorin e kadastrit dhe pronës të paluajtshme.

“I kemi të ndara dy fusha kryesore ku do të kemi bashkëpunim të ngushtë, fusha e parë ka të bëjë me rindërtimin e informacioneve kadastrale ku janë të përfshira 32 komuna dhe 115 zona kadastrale, gjithashtu edhe te pjesa e adresave ku jemi në fazën e kompletimit të adresave por njëkohësisht jemi në fazën ku qytetarët duhet të informohen dhe të kuptojnë që në RKS është vetëm një sistem i adresave dhe nuk ka sisteme të tjera”, potencoi Avni Ahmeti – drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kadastrale të Kosovës.