“Vetë prezenca e Kurtit në fotografi me Kusari-Lilën tregon që ai është në mbrojtje të saj”

Koordinatori në Partinë Demokratike të Kosovës, Nijazi Kryeziu, akuzoi kryeministrin Albin Kurti se ka manipuluar të gjithë për të ardhur në pushtet dhe se vazhdon të gënjejë dhe të jetë kryeministër.

Duke folur për prezencën e Kurtit sot në shënimin e ditëlindjes së deputetes Mimoza Kusari-Lila, Kryeziu tha se vetë prezenca e Kurtit aty në fotografi tregon që ai është në mbrojtje të Mimozës dhe se ajo s’ka bërë asgjë të keqe sipas tij, sepse i ka realizuar urdhrat e tij.

“Ai s’mund të thotë që ka bërë keq, sepse Mimoza mund t’ia kthejë shpinën dhe të thotë se ‘unë i kam bërë me dijeninë tuaj’. Sepse po flitet edhe për një takim të kryeministrit në bashkëbisedimin që e ka në chat me zyrtarë të Listës Serbe”, deklaroi Kryeziu në Klan Kosova.

“Është goditur rezerva shtetërore, janë goditur pikat më vitale te shtetësisë së Kosovës dhe këta i mbrojnë. Departamenti i Shtetit edhe sivjet ka pasur raport që ka korrupsion institucional dhe mbrojtje të atyre që janë të akuzuar për korrupsion. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës. Këta i dalin në mbrojtje”, shtoi ai.