Duka i rikthehet Euro 2027-ës me Serbinë: Mundësi për të pasur kampionatin në Shqipëri

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, në një intervistë për televizionin “Euronews Albania”, ndër të tjera, foli edhe për Kampionatin Evropian U-21 që Shqipëria do të bashkëorganizojë me Serbinë.

E ka thënë më herët, dhe e përforcoi edhe një herë, sipas Dukës, Euro 2027 do të ketë përfitime sportive dhe jo vetëm për Shqipërinë, teksa shtoi se është dhe një mesazh pozitiv për botën një bashkëpunim i tillë.

“Të bashkëpunojmë me një federatë tjetër siç është ajo serbe ishte një mundësi më shumë për ta pasur këtë kampionat në Shqipëri, ndryshe ishte e pamundur”, thotë Duka fillimisht.

“Le ta gjykojmë në këndvështrimin pozitiv se çfarë të mirash i sjell Shqipërisë. Kemi benefite sportive edhe benefite politike, nëse i analizojmë”.

“Ne ende jemi në garë dhe ende nuk është vendosur por gjasat janë që ne do jemi fitues dhe do të miratohet ky organizim”.

“Jam nisur nga benefitet sportive, por edhe mesazhet që jep bashkëpunimi me një federatë tjetër. Mesazhi që jep është pozitiv, është mesazh paqeje, bashkëpunimi”.

“Ne na intereson që të kemi paqe jo luftë. Ne nuk e harrojmë se çfarë ka ndodhur, se çfarë historie ka. Por unë mendoj që të ndërtojmë të ardhmen në paqe. I shërben shumë edhe Kosovës edhe statusit që pret Kosova apo perspektivës së Kosovës”, thekson kreu i FSHF-së.

Ish-kapiteni legjendar kuqezi, Lorik Cana, ka qenë një nga zërat më të fuqishëm kundër këtij organizimi dhe Duka flet për deklaratën e ish-lojtarit të Lazio-s.

“E kam dëgjuar Lorikun kur ka folur për këtë çështje. Po ta dëgjoni, atëherë mund ta komentoni. Disa media duan ta komentojnë negativisht. I mirëpres të gjithë, secili ka këndvështrime të ndryshme. Por unë i ftoj që të shohin pozitivisht”, shprehet ai.

“Mesazhi është pozitiv. Jam i sigurt që Kosovës deri në 2027 do t’i kontribojë në statusin e saj. Është një gjest pozitiv, një mesazh paqeje dhe një mesazh bashkëpunimi”, përfundoi Armand Duka, shefi i futbollit shqiptar.