Deliu-Kodra për mungesën e LVV-së në seancë: E dinë që e kanë bërë bërllok n’tana anët, s’kanë çka me thanë

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, gjatë seancës së sotme ka thënë se deputetët e pushtetit nuk kanë ardhur në Kuvend, pasi sipas saj e dinë që e kanë bërë “bërllok”.

“Po këqyrne kolegë deputetë këtë pamje në mesin e Kuvendit të Kosovës, ku do të duhet të ishin të ulur gjysma e deputetëve të Kosovës e besa krejt pushteti, krejt zbrazët. Kanë ikur, po, po, kanë ikur dhe kanë me ikë deri më 9 shkurt. Dhe a e dini pse të dashur kolegë deputetë, se po e dinë që e kanë bë bërllok bash në tana anët, se nuk kanë ma as çka me thanë në këtë foltore, se faktet të cilat po i shohim çdo ditë flasin më shumë se çdo përpjekje e tyre për të thënë se këto që po ndodhin qenkan luftë hibride, e ma nuk janë ka mujnë me rrejt”, tha ajo.

“Krejt kjo ikje e tyre është akti më kokëfortë se ata e ndjejnë veten fajtorë kolegë deputetë, se të drejtit nuk ikin, por vijnë me u ballafaqu. Fajtorët e posaçërisht frikacakët i lënë karriget në këtë gjendje para qytetarëve të Kosovës”.

Ajo tha se u “vërtetua që kanë bashkëpunuar me Radoiçiqin në dëm të interesit të Kosovës” dhe se “kanë vjedhë me miliona euro përmes mafisë energjetike dhe Martin Berishajt”.

“U vërtetua që përmes faljes së borxheve me ambalazhues të ujit, dikush i ka fituar diku 400 mijë euro qarkullim bankar vetëm gjatë muajit shkurt, por i njëjti i ka blerë katër banesa brenda një viti, dy në Prishtinë e dy në Fushë-Kosovë, derisa Qeveria e ka lënë ushtrinë pa bukë”.