Kusari-Lila: Biseda në zyrë me Simiqin është e montuar
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se biseda në zyrë me ish-deputetin nga Lista Serbe, Slavko Simiq, e publikuar në media, është e montuar.
Kusari-Lila ka thënë se kjo bisedë është e edituar sipas dëshirës së autorit për ta prezantuar atë në publik.
“Vitin e kaluar nuk e kam kontestuar vërtetësinë në kuptimin e materialit që është publikuar, por ka qenë evidente që nuk ka qenë një bisedë e tërë, ka pasur shumë ndërprerje dhe janë vënë tituj të bisedave sipas vullnetit, dëshirës apo qëllimit të autorit. Në zyrë ka ndodhur biseda si e plotë. Ajo çfarë ndodhi këtë vit dhe ajo çfarë u paralajmërua fillimisht, në momentin kur është publikuar më 1 qershor nga i njëjti portal si i vitit të kaluar, e ka pasur vetëm një përshëndetje që synonte ta hidhte poshtë faktin që unë kam deklaruar se ka qenë vetëm një bisedë që e ka përçuar Slavko Simiq në zyrën time përmes telefonit të Milan Radoiçiq dhe i cili është drejtuar fillimisht në gjuhën shqipe”.
“Biseda që është publikuar, ka pasur elemente të bisedës telefonike, jo e njëjta me atë dhe aty e kam pasur dyshimin e parë se kjo është manipuluar. Biseda që ka ndodhur në zyrë është këputur, është ngjitur sipas dëshirës, sipas objektivit që e ka pasur portali për ta prezantuar temën në fjalë”, ka thënë ajo.