LDK-ja kërkon hetime deri në fund për rastet në KEK dhe atë të ambasadorit Berishaj

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se raportimet e medieve gjatë dy ditëve të fundit për përfshirjen, sipas tyre, direkte të strukturave parapolitike partiake të VV-së në KEK dhe në aferat korruptive të ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit dhe ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, vërtetojnë se shqetësimet e kësaj partie ishin të sakta.

Në reagim thuhet se LDK-ja në vazhdimësi ka folur për ekzistencën e një strukture kriminale parapolitike të VV-së, që sipas tyre, nëpërmjet një skeme mirë të organizuar e të kontrolluar deri në detaje, ka organizuar një skemë kriminale pa frikën e përgjegjësisë dhe pa brengën e llogaridhënies.

“LDK-ja në vazhdimësi ka folur për ekzistencën e një strukture kriminale parapolitike të partisë në pushtet, që nëpërmjet një skeme shumë mirë të organizuar e të kontrolluar deri në detaje – nga menaxhimet e komunikimeve ditore, tek oraret e reduktimeve të energjisë elektrike për qytetarët; nga punësimet e paligjshme, deri tek 150 tenderët sekretë – ka organizuar një skemë kriminale pa frikën e përgjegjësisë dhe pa brengën e llogaridhënies”.

“LDK-ja do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat institucionalë, ligjorë e kushtetues për të zbardhur deri në fund të gjitha rastet e krimit, të korrupsionit dhe të keqpërdorimeve. Njëkohësisht, LDK-ja i bën thirrje organeve të drejtësisë për hetim të menjëhershëm, që personat dhe struktura kriminale përgjegjëse të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagim.

Mbrëmë Gazeta Nacionale ka publikuar disa biseda që pretendohen të jenë mes Koordinatores së Komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihalit dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, në lidhje me reduktimet e energjisë elektrike dhe mundësisë së përfshirjes së ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në aferën e përfolur në media për shit-blerje të rrymës me kompaninë serbe, GEN.