Dogana kap 1 kg ari të padeklaruar në Aeroportin “Adem Jashari”
Në një operacion të suksesshëm të kontrollit doganor, janë ndaluar një sasi të padeklaruar prej 1 kg ari , me pastërti prej 14 karatësh.
Dogana ka njoftuar se gjatë kontrollit të udhëtarëve, imazhet e skenerëve treguan indikacione për mallra të padeklaruara brenda një çante.
“Pas hapjes së çantës, u zbuluan mallrat e fshehura së bashku me dokumentacionin përkatës që shoqëronte mallrat. Pas një vlerësimi të hollësishëm nga Dogana e Kosovës, u konstatua se vlera reale e arit të ndaluar është 59,294.12 €”
“Rasti është duke u trajtuar në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin e Hetimeve të Doganës së Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit, për të analizuar të gjitha detajet dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore ndaj individëve përgjegjës”
“Përmes kontrolleve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit me institucionet relevante, Dogana e Kosovës luan një rol kyç në mbrojtjen e integritetit të kufijve dhe tregut të Kosovës”, ka njoftuar Dogana. /Zëri