Osmani uron Shqipërinë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Shqipërinë për arritjen e një përparimi të rëndësishëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ajo theksoi se hapja e kapitujve të anëtarësimit e afron Shqipërinë më shumë me një të ardhme më të ndritur dhe më të begatë për të gjithë qytetarët e saj.

Në një postim në “X”, Osmani deklaroi: “Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera demokratike në rajonin tonë duhet të vazhdojnë avancimin në rrugën e BE-së, e cila është thelbësore për të siguruar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm — jo vetëm për rajonin, por për gjithë Evropën.”

Shqipëria ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, në Luksemburg, e vlerësoi si historik këtë moment.