Samiti i Berlinit, Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal dhe deklarata e Kurtit

Të hënën në Berlin u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit në të cilën u nënshkrua edhe në Plan i ri për tregun e përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për lëvizjen, që përfshin edhe çështjen e arsimit të lartë.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë këtij takimi theksoi rëndësinë e marrëveshjeve, gjersa tha se “do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë”.

Sipas tij, Procesi i Berlinit është një instrument thelbësor për bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe, Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal është pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me një vlerë prej gjashtë miliardë eurosh, miratuar nga Bashkimi Evropian në maj.

Më 11 tetor, vendet anëtare të BE-së miratuan agjendat e reformave për pesë vende të rajonit, përveç Bosnje e Hercegovinës, e cila ende pret miratimin për shkak të dokumentacionit të paplotë.

Kosova pritet të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan, me më shumë se 250 milionë euro në formën e fondeve pa kthim dhe pjesën tjetër në formë kredish të volitshme.

Kurti në Berlin kërkon që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit për BE, jep lajmin e madh për qytetarët e Bosnjës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit është shprehur se pas këtyre dhjetë viteve siguria e Evropës nuk ka ndryshuar për mirë.

Kurti ka shtuar se gjatë një dekade, Procesi i Berlinit ka luajtur rol kyç në afrimin e rajonit tonë dhe në avancimin drejt BE-së.

“Pavarësisht sfidave të brendshme dhe eksternale, Procesi i Berlinit mbetet një forcë nxitëse për integrimin evropian dhe lidhja që mban të lidhur Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor. Kjo është ajo që e njohim dhe e festojmë sot këtu në Berlin”, u shpreh Kurti.

Kryeministri ka folur edhe për Tregun e Përbashkët Rajonal, ku ka thënë se kjo është një e arritur e madhe e dalë nga Procesi i Berlinit.

“Një momentum i ri është fituar pas kalimit të ngërçit brenda CEFTA-s. Tani mund të avancojmë me një ritëm të ndryshëm, me barazinë në qendër dhe qytetarët si përfitues të fundit”, është shprehur Kurti.

Kryeministri ka folur dhe për çështjen e lëvizjes me letërnjoftim mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, ku tha se Republika Sprska po refuzon ratifikimin e kësaj marrëveshje, të cilën Kosova e ratifikoi në Kuvend.

Kurti dha edhe një lajm të mirë për qytetarët e Bosnjës, ku tha se nga janari i vitit të ardhshëm do të mund të udhëtojnë me letërnjoftim në Kosovë.

“Unë kam vendosur të përfundoj pritjen. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës do të lejojë unilateral lëvizjen e lirë për mbajtësit e ID-së nga Bosnja dhe Hercegovina”, ka thënë Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve në Samitin e Procesit të Berlinit.

Ai u shpreh se Kosova ka qenë dhe do të jetë një zë i arsyes dhe një mbështetje në këtë Proces.

“Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit.

Në 3.5 vjetët e fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progresin demokratik dhe qëndrueshmërinë institucionale, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë. Njohja e përparimit dhe të arriturave të Kosovës po ashtu afirmon përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit dhe vlerave të saj”, tha Kurti.

Ndryshe, në këtë Samit të Procesit të Berlinit përveç gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë marr pjesë gjithashtu vendet partnere, përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit është krijuar në vitin 2014 për të mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, është një nismë e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel.