Kurti në Procesin e Berlinit: Erdhi koha që Kosova ta marrë statusin zyrtar të kandidatit për anëtarësim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit.

Albin Kurti tha se, nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnjë e Hercegovinës.

Përkundër marrëveshjeve të arritura, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht, duhet të pajisjen me viza për të lëvizur në vendet respektive.

Duke folur në samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në kryeqytetin gjerman, Kurti tha se ky projekt ka sjellë përparim të rëndësishëm deri më tash, por se duhen “edhe më shumë veprime”.

“Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime - të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament - unë kam vendosur t'i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e letërnjoftimeve të Bosnjë e Hercegovinës”, tha Kurti.

“Lidhshmëria është thelbësore për Procesin e Berlinit”, tha ai.

I lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, ky proces shënon sivjet dhjetë vjet.

Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që ta rrisin bashkëpunimin rajonal dhe gradualisht ta afrojnë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut më pranë BE-së.

Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.

Duke e parë këtë, Kurti ka kërkuar nga Scholzi dhe Von der Leyni që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit, shkruan Zeri.info.

Theksojmë se në kuadër të Procesit të Berlinit, ndër vite, janë bërë disa marrëveshje dhe deklarata, por shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.

Adresimi i plotë i Kurtit:

Adresimi im në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit:

I nderuar kancelari Scholz,

E nderuara presidentja Von der Leyen,

Anëtarë të Procesit të Berlinit,

1. Procesi i Berlinit filloi në gusht të vitit 2014, pak pasi zgjerimi i BE-së pauzoi dhe Rusia aneksoi Krimenë.

2. Dhjetë vjet më vonë, siguria e Evropës nuk ka ndryshuar për të mirë, por përgjigjja ndaj invazionit të Rusisë në Ukrainë ka qenë ndryshe. Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia janë kandidatë të BE-së, Suedia dhe Finlanda i janë bashkuar NATO-s dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë përsëri në agjendën e BE-së.

3. Qe një dekadë, Procesi i Berlinit po luan një rol në përafrimin e vendeve të rajonit tonë bashkë dhe drejt BE-së. Pavarësisht sfidave të brendshme dhe të jashtme, Procesi i Berlinit mbetet një forcë shtyse për integrimin evropian dhe fija që i mban të lidhura gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është ajo çka e njohim dhe festojmë këtu në Berlin.

4. Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) është një nga të arriturat më të mëdha të këtij procesi. Një momentum i ri është fituar pas kapërcimit të ngërçit brenda CEFTA-s. Tash mund të përparojmë me një ritëm të ndryshëm, me barazi në qendër dhe qytetarët si përfituesit e fundit.

5. Plani i Rritjes i BE-së është tani një Agjendë e miratuar e Reformave; zbatimi i tij duhet të ndjekë një qasjen e "garës për në majë".

6. Përgjatë një dekade, në Procesin e Berlinit është shënuar progres domethënës ,por nevojiten më shumë veprime. Një paradoks u paraqit në janar të këtij viti, kur shtetasit e Kosovës mund udhëtojnë pa vizë në BE, por ende u mungonte liria e lëvizjes në Bosnjë dhe Hercegovinë.

7. Përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës.

8. Lidhshmëria është e domosdoshme për Procesin e Berlinit, por duhet të ruhemi nga ndikimi i huaj, veçanërisht nga Kina, e cila ka investuar thellë në fqinjën tonë verior, duke nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe një zotim për një të ardhme të përbashkët me Kinën.

9. BE-ja duhet të sigurohet që fondet e BE-së janë të lidhura me vlerat e BE-së – është Procesi i Berlinit ai që e afron rajonin tonë me BE-në, jo "Procesi i Pekinit", i cili çon drejt BRICS-it.

10. Kosova ka qenë dhe do të jetë një zë për arsye dhe një flamurtar në këtë Proces, por nuk duhet të qëndrojmë të vetëm në shtyrjen përpara dhe mbrojtjen e vlerave themelore të BE-së.

Kancelar Scholz,

Presidente Von der Leyen,

Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit. Në 3.5 vjetët e fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progresin demokratik dhe qëndrueshmërinë institucionale, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë. Njohja e përparimit dhe të arriturave të Kosovës po ashtu afirmon përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit dhe vlerave të saj.

Ju falemnderit. /Zëri