Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës nga 1 janari, thotë Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se, nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova, njëanshëm, do ta lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnjë e Hercegovinës.

Përkundër marrëveshjeve të arritura, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht, duhet të pajisjen me viza për të lëvizur në vendet respektive.

Duke folur në Samitin e Procesit të Berlinit, Kurti tha se ky projekt ka sjellë përparim të rëndësishëm, por se duhen “edhe më shumë veprime”.

“Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime - të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës”, tha Kurti.