Dugolli: S’do të ndërpritet aktiviteti i FSK-së
Më 7 tetor, komandanti i FSK-së Bashkim Jashari, i kishte dërguar një letër ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedoncit, se nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje për çështjen e furnizimit ushqimit të ushtarëve, Forca e Sigurisë do t’i ndërpresë aktivitetet.
Lidhur me këtë, në një konferencë për media ka folur deputeti i LVV-së, njëherësh anëtari i Komisionit për Siguri, Enver Dugolli.
Ai tha se nuk do të ketë ndërprerje të aktiviteteve të Ushtrisë së Kosovës.
“Qeveria është e përkushtuar që t’i mbështesë dhe t’i forcojë kapacitetet mbrojtëse. Prandaj i gjithë yni si mazhorancë për këto vite nuk kemi llafe, por kemi punë. Për këtë dëshmojmë me fakte”, tha Dugolli gjatë konferencës për media.
Sot me fillim nga ora 12:00 Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet rreth problemit për furnizimin me ushqim të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kjo seancë u thirr nga AAK-ja, e LVV-ja deklaroi se nuk do të jetë pjesë e saj.