Uji i Badocit, ende i papijshëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se ka vazhduar monitorimin e ujit për pije të ujësjellësit rajonal KRU “Prishtina”, që vjen nga liqeni i Badocit.

Në njoftimin e IKSHPK-së thuhet se gjatë analizave të kryera gjatë ditëve të fundit, vërehen ulje e vlerave të manganit, por megjithatë, sipas tyre, këto vlera ende janë mbi vlerat e lejuara sipas Udhëzimit administrativ për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu.

Ndonëse mangani është mineral që konsiderohet si lëndë ushqyese dhe kontribuon në shumë funksione trupore, prania e tij në sasi më të lartë, sesa ajo e lejuar mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore dhe të ketë ndikim në sistemin nervor qendror të njeriut.

“IKSHPK-ja thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se me vlimin e ujit mangani nuk eliminohet, siç duhet të veprohet te rastet me ndotje bakteriologjike të ujit. Prandaj, për momentin është i papërdorshëm për pije”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se ekipet e IKSHPK-së do të vazhdojnë të monitorojnë ujin e pijes nga liqeni i Badocit edhe gjatë ditëve në vijim, ndërkohë që thuhet se është në bashkëpunim të vazhdueshëm me KRU “Prishtina” për stabilizimin e gjendjes së krijuar si pasojë e “fenomenit” të manganit në ujin e pijshëm.