Dyshohet se rrahu me grushta dy persona, arrestohet 47-vjeçari në Fier

Është arrestuar një 47-vjeçar në Fier, pasi i njëjti dyshohet për sulm ndaj dy personave.

Në njoftimin e policisë thuhet personat që janë rrahur me grushta në kokë janë një burrë 80-vjeçar dhe gruaja e tij 77-vjeçare.

“Sipas policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestuan  shtetasin I. N., 47 vjeç, banues në fshatin Povelçë, Fier, person me preçedent penal për krime ndaj personit”.

“Në fshatin Povelçë, në ambientet e jashtme të dyqanit ushqimor në pronësi të shtetasit N.R, shtetasi I.N, për motive të dobëta ka goditur me grushta në pjesën e kokës, shtetasin N.R, 80 vjeç dhe bashkëshorten e tij, shtetasen A.R, 77 vjeçe”.

“Si pasojë e dhunës shtetasi N.R, ndodhet i shtruar dhe intubuar në spitalin rajonal Fier në gjendje të rëndë, në kujdesin e mjekëve. Ndërsa shtetasja A.R pasi ka marrë mjekim është larguar drejt banesës së saj”, thuhet në njoftimin e policisë.