Pse po ndodhin vrasjet e plagosjet aksidentale me armë zyrtare nga policët?

Të premten një zyrtar policor plagosi brenda stacionit policor një kolege të tij në Prishtinë, e para disa muajsh një tjetër polic vrau të afërmin. Nga Inspektorati Policor thanë se kanë hasur mangësi në procesin e kurseve të ricertifikimit të policëve. Derisa kërkohet një trajnim më i veçantë në Akademinë e Kosovës për Siguri.

Derisa ishte në orarin e punës, një zyrtare policore u plagos në këmbë nga kolegu i saj, aksidentalisht.

Njëjtë ndodhi edhe nga një zyrtar tjetër policor javën e kaluar ku plagosi nënën e tij, e një tjetër vrau të afërmin e tij.

Për këto, Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje për tëvë1 thonë se Policia e Kosovës parasheh trajnime brenda afateve për përdorimin e armëve të zjarrit.

Mirëpo nga autoriteti mbikëqyrës, thonë në disa raste kanë hasur që ricertifikimi nuk ka qenë në nivelin e duhur.

“Policia e Kosovës ka rregulluar afatet ligjore brenda të cilave obligohen zyrtarët e saj t’i nënshtrohet ricertifikimit (përfshirë ricertifikimin në aftësitë e përdorimit dhe gjuajtjes me armë zjarri). Inspektorati Policor i Kosovës gjatë realizimit të inspektimeve në një numër stacionesh, ka hasur në situata kur përfshirja në kurset e ricertifikimit nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar. Në këto raste IPK ka rekomanduar përfshirjen më të madhe të zyrtarëve në kurset e tilla. Duhet përmendur se ka njësi brenda Policisë që trajnimet dhe ricertifikimet për gjuajtjet me armë janë paraparë të kryhen më shpesh krahasuar me nivelin e zyrtarëve që janë të angazhuar në kuadër të stacioneve policore”, thuhet nga IPK-ja.

E ish-kryeshefi i IPK-së, Fitim Shishani, një ndër shkaqet që çojnë në këto, po i sheh mangësitë në trajnimin e policëve në Akademi.

“Më shumë i kushtohet rëndësi aspektit teorik të formave tjera të trajnimit, p.sh zbatimit të ligjit që është shumë mirë ose mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut që është shumë mirë për t’u trajnuar personat të cilët kryejnë kursin për Policinë dhe Akademinë e Sigurisë Publike. Por unë mendojë se duhet të organizohet një trajnim i veçantë vetëm për armë në qoftë se këto veprime paraqiten si dukuri”, tha Shishani.

Sipas tij, indikator në këtë dukuri mund të jetë edhe shkurtimi i trajnimit për policë nga gjashtë në tre muaj.

“Sa i përket armës është një mjet i rrezikshëm pavarësisht se policët kryejnë disa trajnime ata duhet në aspektin psikologjik të mbajnë mend mirë se nuk duhet të përdoret arma në çdo vend dhe çdo kohë në ambiente të mbyllura siç ka ndodhë rasti shtëpiake apo banesore, arma i ka karakteristikat e veta që Policia i din shumë më mirë se çdo qytetarë që posedon armë”, tha Shishani.

Se a po e shqyrtojnë mundësinë për trajnime shtesë, tëvë1 ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës por që gjatë javës nuk ka pasur përgjigje.