5 ndeshje e 5 fitore: Melos Kelmendi flet për transferimin dhe debutimin e tij te FC Prishtina 01, formën e klubit, objektivat dhe qëllimin në Champions
E nisi si më së miri, pesë ndeshje e pesë fitore deri më tani për klubin e futsallit FC Prishtina 01, kështu duke u vendosur lider i tabelës në Lirimi Superligë.
Në një intervistë për “Zërin”, njëri ndër lojtarët më të mirë e po ashtu edhe me përvojë ndërkombëtare, Melos Kelmendi, prek disa tema të ndryshme, si transferimin dhe debutimin e tij te kampioni në fuqi, forma e mirë në këtë fillim sezoni, objektivat e klubit e po ashtu qëllimi në Champions.
Për këtë superformë që po kalon kampioni në fuqi, Kelmendi u shpreh se çelësi kryesor është fillimisht puna e trajnerëve e pastaj edhe cilësia e secilit bashkëlojtar.
“5 ndeshje e 5 fitore, jemi në një superformë rezultatesh, çelësi kryesor i kësaj forme të mirë fillimisht puna e trajnerëve gjatë përgaditjes fizike që kemi pas, e pastaj edhe cilësia e secilit bashkëlojtar që jep kontribut në secilën fitore”, u shpreh fillimisht Kelmendi.
Verën që lamë pas, ai përfundoi transferimin te FC Prishtina 01, arsyen Kelmendi e tregoi për “Zërin”.
“Pas përfundimit të sezonit të kaluar kam pas disa oferta të ndryshme nga ekipet e Superligës së Futsallit, por duke e marrë parasysh se shumica e lojtarëve të Kombëtares së Futsallit janë pjesë e Prishtines 01, pra me fjalë tjera kjo ka qenë një arsye shtesë pse e kam zgjedh të vazhdoj këtë sezon tek ky klub”, vazhdoi ai.
Debutimi i tij u bë si më së miri, pasi në ndeshjen e parë shënoi dhe fitoi, e një ditë më pas kishte dhe ditlindjen, teksa Kelmendi atë mbrëmje e cilësoi si një lloj “dhurate” për të.
“Debutimi ka qenë ashtu siç e kam pritur, është ndjenjë e mirë kur shënon në debutim dhe njëfarë mënyre ishte 'dhuratë' ndaj vetes për ditëlindje me një gol dhe fitore poashtu e klubit e cila është më e rëndesishme".
E cekëm që Kelmendi ka përvojë edhe ndërkombëtare, pasi në të kaluarën ka qenë pjesë e skuadrës çeke, Sparta Pragës, teksa karrierë ka bërë edhe te KF Tirana, Melosi i tregon përshtypjet e tij në secilin kampionat.
“Po, me Tiranën kam zhvilluar lojë ne kuadër të Champions League dhe ka qenë eksperiencë shumë e mirë për mua, por eksperienca më e mirë për mua ishte sezoni kur kam qenë në Sparta Pragës në ligën Çeke, ku mendoj që është si Ligë me kompetitive dhe niveli i lojtarëve te disa ekipe ka qenë shumë i lartë. Po ashtu edhe Superliga e Kosovës çdo vit është duke u vërejtur se ka ngritje jashtëzakonisht të madhe”, vazhdoi numri tetë i kampionit në fuqi.
Melosi foli edhe për Ligën e Kampionëve, ku prej 22-27 tetorit do të kemi ndeshje interesante të Championsit.
“Deri tash sa jemi përgaditur në stërvitje, qëllimi ka qenë gjithmonë për ndeshjet e Champions Leagues për shkak se dihet se na presin 3 lojë mjaft të vështira, kemi 3 kundërshtarë që kanë cilësi të madhe por synimi jonë dihet që është kualifikimi në Elite Round ku edhe besoj se do ta arrijmë këtë”, përfundoi Kelmendi.
Prishtina 01 do të ketë përballë ekipet si MNK Olmissum, SK Plzen dhe SC Braga në Ligën e Kampionëve. /Zëri
Ndeshjet:
23 tetor
MNK Olmissum – Prishtina 01, 20:00.
24 tetor:
Prishtina 01 – SK Plzen, 20:00.
26 tetor:
Prishtina 01 – SC Braga, 20:00.