Bajrami i reagon ministrit Murati, thotë se pagat janë rritur vetëm për kabinetin qeveritar dhe 6.8 euro për sektorin publik
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi ministri i Financave, Hekuran Murati deklaroi se gjatë qeverisjes së tyre, paga mesatare është rritur për 104 euro.
Bajrami ka deklaruar se ministri po gënjen sa i përket kësaj rritje.
“Gjatë mandatit të kësaj qeverie, janë dy vendime për rritje të pagave: rritja e pagave për kabinetin qeveritar 50% në fillim të mandatit, rritja e pagave për sektorin publik 6.8 Euro në fund të mandatit. E kam thënë më herët, por e përsëris prapë që kush do që flet për një shifër në ekonomi, për një indikator dhe e injoron inflacionin, thënë me së buti po gënjen”, ka pohuar ajo.
Tutje, deputetja ka shkruar se për disa të dhëna mbi inflacionin: 2021: 3.4 %;2022: 11.6 %;2023: 4.9 %; 2024: 2 %.
“Norma mesatare e rritjes së çmimeve gjatë këtij mandati është 22%, por produktet që na duhen për konsum për çdo ditë kanë pas ngritje të çmimit mbi 50%. Për plot gjëra Qeveria edhe mund të manipuloj me statistika, por janë disa gjëra me të cilat askënd s’mund ta mashtroni, për shembull për çmimet dhe pagat, sepse secili qytetar e din sa e merr pagën dhe gjithashtu e din se çka mund të blej me atë pagë sot”, ka shtuar tutje deputetja.
Bajram thekson se “paga Bruto sot sipas ASK-së del të jetë me e madhe në krahasim me disa vite me parë, por qytetarët e dinë se të vetmen rritje të pagave që ka bë Qeveria ka qenë para dy muajve në shumën 6.8 Euro, ndërsa sektori privat ka reflektu për shkak të inflacionit galopant që ka ndodhë gjatë kësaj kohe dhe për shkak të ikjes masive të fuqisë punëtore”.
“Pra edhe nga të dhënat zyrtar është fakt se norma e inflacionit gjatë kësaj periudhe e tejkalon rritjen e pagës bruto sipas ASK-së, që dmth. se gjatë qeverisjes Kurti ka rënë fuqia blerëse e qytetarëve të vendit dhe këtë ata e përjetojnë çdo ditë. Por po e përsëris, Qeveria Kurti me të marrë mandatin i ka rritë pagat për Kryeministrin, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politik, asistentët dhe shoferët e tyre për hiç më pak se 50%, kjo natyrisht se ka pas ndikim në të dhënat e ASK-së”.