LDK: Dështimet e qeverisë në furnizimin me ushqim, po rrezikojnë ushtarët e Kosovës
Deputeti nga radhët e LDK-së, Anton Quni, është shprehur se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, po përballen me rrezik real të helmimit nga ushqimi, dhe infeksioneve për shkak të kushteve sanitare dhe shërbimeve të paqëndrueshme ushqimore.
Sipas Qunit, fajet i ka vetëm qeveria, duke mos munduar ta kryejë përgjegjësinë e saj.
Ndër të tjera, deputeti shton se derisa ushtarët rrezikojnë jetën për sigurinë e Kosovës, Qeveria po e rrezikon shëndetin e tyre përmes papërgjegjshmërisë.
“Situata nuk është thjesht një çështje e vonesave në ushqim, është një çështje shëndeti, sigurie e gatishmërie operative. Ushtarët tanë tani përballen me rrezikun real të helmimit nga ushqimi, dhe infeksioneve për shkak të kushteve sanitare dhe shërbimeve të paqëndrueshme ushqimore”, tha Quni në një konferencë për media.
“Kjo situatë duhej të ishte parandaluar, ofrimi i ushqimit për ushtarët tanë nuk është një ngjarje e papritur, është përgjegjësi bazike e ministrisë së Mbrojtjes”.
“Por tani jemi në një situatë ku komandanti i FSK-së, po paralajmëron për ndalimin e të gjitha aktivitetet për shkak të kësaj krize. Ndërsa ushtarët tanë rrezikojnë jetën për sigurinë e Kosovës, Qeveria po e rrezikon shëndetin e tyre përmes papërgjegjshmërisë”.
“Ushqimi nuk është një krizë që duhet trajtuar në mënyrë emergjente, është një nevojë e përditshme që duhet të ofrohet në mënyrë të vazhdueshme”, tha Quni.
Quni, ka thënë se çështja me shujtat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, është dështim i Qeverisë Kurti, për të planifikuar dhe menaxhuar shërbimet thelbësore për ushtarët.
“Qëndroj këtu sot me shqetësim të thellë për mirëqenien e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ndërsa përballemi me një tjetër shembull të qartë të menaxhimit dhe neglizhencës së qeverisë aktuale ndaj ushtarëve tanë”, tha Quni në një konferencë për media.
“Së fundmi u zbulua se stafi që është përgjegjës për ofrimin e ushqimit për forcat tona kanë njoftuar se nuk do të paraqiten më në punë pas datës 11 tetor. Kjo situatë alarmante e konfirmuar nga komandat Jashari në një letër drejtuar ministrisë së Mbrojtjes, është rezultat i dështimit të qeverisë për të planifikuar dhe menaxhuar shërbimet thelbësore për ushtarët tanë”.