Programi shtetëror 8 pikësh i propozuar nga presidentja Osmani për mbështetjen e FSK-së

Presidentja Vjosa Osmani, e cila është edhe kompandante supreme e ushtrisë, ka kohë që ka bërë propozimin për program shtetëror për mbështetjen e shumëdimensionale të FSK-së që ndikon direkt në rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të saj, njëherësh edhe motivin e tyre.

Kështu ka thënë për "Zërin", Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencën e Kosovës.

“Mirëpo, ky program ka nevojë që të ketë mbështetje buxhetore në ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili propozohet nga Qeveria dhe miratohet në Parlament”, ka thënë Kupina.

“Realizimi i këtij programi mbështetës, gjithashtu ndikon në fuqizimin e operacionalitetit të FSK-së, në kohën e tranzicionit e zhvillimit të saj me qëllim të realizimit të detyrave ligjore dhe misionit kushtetues të saj për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror”, tha kapina për Zeri.info.

Programi 8 pikësh përfshinë këto elemente:

  1. Pagesa e shtesave në paga për rrezikshmëri.
  2. Pagesa e kujdestarisë dhe punës jashtë orarit.
  3. Pagesa e mëditjeve për pjesëtarët e FSK-së gjatë shkollimit dhe trajnimit jashtë vendit (gjatë tërë periudhës së shkollimit apo trajnimit e jo vetëm për 1 muaj).
  4. Sigurimi shëndetësor.
  5. Funksionalizimi i spitalit ushtarak me shërbime të nivelit sekondar dhe tercial mjekësor.
  6. Përmirësimi i cilësisë së ushqimit me standardet me të larta shëndetësore dhe sanitare.
  7. Sigurimi i banimit të përballueshëm për ushtarakët dhe familjet e tyre.
  8. Krijimi i fondit kreditues për ushtarakët. /Zëri