Çështja e shujtave të ushtarëve të FSK-së, Osmani kërkon takim me Jasharin dhe Maqedoncin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është e shqetësuar për situatën e krijuar sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së.
Kështu bëri të ditur këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
“Presidentja Osmani ka përcjellë me shqetësim situatën e krijuar ditëve të fundit sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së, ndaj menjëherë ka kërkuar raport të detajuar nga komandanti i FSK-së”, tha Kupina për Zeri.info.
Në përgjigje të Kupinës, thuhet se e para e vendit ka kërkuar takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje me komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Po ashtu i ka ftuar në takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Jashari, por edhe Ministrin e Mbrojtjes z.Maqedonci. Presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional.
Përndryshe, presidentja Osmani ka kohë që ka bërë propozimin për program shtetëror për mbështetjen e shumëdimensionale të FSK-së që ndikon direkt në rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të saj, njëherit edhe motivin e tyre.
Mirëpo, ky program ka nevojë që të ketë mbështetje buxhetore në ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili propozohet nga Qeveria dhe miratohet në Parlament. /Zëri