Telashet me ushqimin e FSK-së, Kuvendi pritet të mblidhet të hënën në seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancë të jashtëzakonshme sërish të hënën, për të diskutuar lidhur me telashet për ushqimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë Gazetës Express se tashmë i kanë mbledhur nënshkrimet.

“Kemi mbledhë nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për të hënën. Besoj që prej orës 12:00”, ka thënë Qalaj për Express.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari i është drejtuar me një kërkesë ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonicit, për këtë çështje. Ai ka kërkuar zgjidhje konkrete, në të kundërtën do të detyrohen të marrin masa.

“I nderuar z. Ministër dhe z. Sekretar, bazuar në atë që u cek më lartë ju lutem të jepen udhëzimet e duhura se si do të veprohet nga data 11.10.2024 e tutje. Pasi që, mos paraqitja e personelit nga institucionet tjera në kuzhinat e FSK-së, vonesat në furnizim me artikuj ushqimor dhe sanitar dhe rreziqet për pasoja shëndetësore do të na detyrojnë që të marrim masat për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve e planifikuara dhe të funksionojmë vetëm me staf esencial“, thuhet në letrën e Jasharit për Ministrinë e Mbrojtjes.

Telashet kanë filluar pas skadimit të kontratës të kompanisë që ka kryer këto shërbime deri tash. Kontrata me kompaninë e re nuk ështënënshkruar ende, meqë ndodhet në auditim të brendshëm. Si zgjedhje të përkohshme, Ministria ka marrë kuzhinierë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Menza e Studentëve.

Ky personel ka deklaruar se do të paraqiten në kuzhinat e FSK-së vetëm deri më 11 tetor, sipas letrës që Jashari i ka dërguar Maqedoncit.