Ymeri tregon se cilat institucione i ka në “grusht” Kurti
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë, se Kosova rrezikon të izolohet edhe më shumë si shkak i përplasjeve me partnerët ndërkombëtar.
Ymeri ka thënë se si shkak i veprimeve të qeverisë Kurti, Kosova është rrezikuar të largohen edhe nga Procesi i Berlinit, forum i vetëm rajonal me të cilën Kosova është e pranishme me të gjitha simbolet e veta.
Ish-kreu i LVV-së ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po investon në propagandën e vet në keqkuptim të qëllimshëm për situatën në veri të vendit, ndërsa thekson se Qeveria, Kuvendi e Presidenca janë në duar të Albin Kurtit.
Ymeri i cili udhëheq me institutin “Mousine Kokolari”, thekson se partitë opozitare maksimalisht po punojnë për ta shfrenuar “keqqeverisjen e Albin Kurti”.
Si shembull merr dërgimin e Projektligjeve në Gjykatën Kushtetuese dhe “moslejimin e kapjes” së institucioneve të pavarura.
“Ne nuk mundemi me krahasuar katërvjeçarin e qeverisjes së Kurtit me të cilëndo prej etapave të mëhershme të cilësdo prej qeverive. Së pari, e ke pas një Qeveri me 50 për qind asnjëherë nuk e kemi pas këtë rast, e dyta kjo Qeveri e ka pasur edhe Presidencën sepse presidentja Osmani ka qenë praktikisht një lloj zgjatimi i kryeministrit Kurti, tash së fundi po shihen disa qarje, mirëpo këto janë duke u parë vetëm muajt e fundit, ndërkohë që ne e kujtojmë që katërvjeçari i kaluar ka qenë një simbiozë gati se e pakëputshme, pra e ke pasur Qeverinë-Parlamentin dhe Presidencën”, u shpreh Ymeri, duke thënë se si shkak i shumicës që ka kryeministri Albin Kurti, është e pamundur për partitë opozitare.
“Tri institucionet kryesore në duar të një njeriu, dhe veprimet në këto rrethana për një opozitë cilado qoftë ajo, nuk është i lehtë. PDK, LDK dhe AAK, secila në vete mendoj që ka bërë të jashtëzakonshme, veçanërisht në parandalimin e kapjes gati absolute të institucioneve të pavarura dhe autonome, siç është gjyqësori e të tjerat. Me të gjitha ato ligje që i kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe që i kanë fituar rastet”, u shpreh Ymeri për Ekonomia Online.