Haradinaj në Kuvend: Kurti po lan borxh, është spiun i tyre

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk e ka zhvilluar asnjë komunikim me Millan Radoiçiqin që nga viti 2018.

Haradinaj ka thënë se me Radoiçiqin nuk ka zhvilluar asnjë komunikim që prej ditës kur policia e Kosovës, në kohën e qeverisjes së tij, realizoi një bastisje në banesën e kryekriminelit të Banjskës në vitin 2018.

“Radoiçiqi është i ndjekur nga drejtësia e Kosovës nga viti 2018. Pra, Policia e Kosovës në atë kohë ka rastis që kam qenë kryetar qeverie në atë kohë, por këtë s’e ka bërë qeveria, e ka bërë Policia e Kosovës... e ka bastisur banesën e tij në veriun e Mitrovicës. Që atëherë, Radoiçiqi e ka lëshuar Kosovën. Pra, është i ndjekur nga drejtësia”, ka thënë ai.

“Që nga ajo ditë e bastisjes, kryetari i atëhershëm i Qeverisë, deputeti i Kuvendit të Kosovës Ramush Haradinaj s’ka komunikim me Radoiçiqin të asnjë natyre. Dhe, kushdo që ka çfarëdo të dhënë të këtij komunikimi, e lus qitne, bëni çka të doni”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj e ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij se Kurti “është spiun i Serbisë”.