Kuvendi sot me seancë të jashtëzakonshme, diskuton për audioincizimet e Kusari-Lilës me Radoiçiqin
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, pasi ditë më parë u publikuan audioincizime të komunikimit të kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës është paparë të nisë në orën 12:00.
Kërkesën për debat e ka bërë kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ndërkaq me mbështetjen e 42 deputetëve ka dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.
Ndryshe, edhe të enjten në vazhdimin e një seance të rregullt pati replika të ashpra në mes deputetes së LVV-së Mimoza Kusari Lila dhe deputetëve të opozitës.
Ish-deputeti i LVV-së, Haki Abazi, me fillim të seancës vendosi shiritin “Danger” në kohën kur nisi të fliste në foltore deputetja Kusari-Lila.
E shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, para mediave në Kuvendin e Kosovës ka thënë se e ka denoncuar rastin e audio incizimeve të publikuara të mërkurën në Polici dhe në Prokurori.
Kusari-Lila këto incizime i cilësoi si të fabrikuara. Ajo po ashtu tha se “kjo do të thotë një manipulim dhe një montazh e asaj natyre e cila synon të vë në dyshim dhe në pikëpyetje integritetin dhe personalitetin tim”.
“Asnjë komunikim nuk ka qenë më Listën Serbe për Ligjin për Pagë minimale. Rrjedhimisht incizimet e mbrëmshme janë të fabrikuara për të cilat sot kam qenë në Policinë e Kosovës dhe Prokurori dhe për këto do të vazhdojë rasti. Kjo do t’i bashkëngjitet rastit që vetëm vitin e kaluar e kam raportuar kallëzimin penal ndaj ish deputetit Sllavko Simiq. Do të thotë një manipulim dhe një montazh e asaj natyre e cila synon të vë në dyshim dhe në pikëpyetje integritetin dhe personalitetin tim”, ka thënë Kusari-Lila.