Hamza: Do ta rikthejë Kosovën në rrugën e zhvillimit, “për të cilën Thaçi e Kadri Veseli kanë sakrifikuar”

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, në 25-vjetorin e themelimit të partisë, tha se vitet e rrugëtimit politik të PDK-së e përbëjnë pjesën më të mirë të rrugëtimit të vetë Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Nga aty, Hamza premtoi arsimim cilësor dhe paga të dinjitetshme, ndërsa nuk i la anash as kategoritë tjera. Ai premtoi edhe rritje të ekonomisë vendëse.

“Në këtë rrugëtim, ka pasur shumë personalitete, aktivistë meritorë, e mbështetës të flaktë, të cilët me vullnetin dhe angazhimin e tyre i kanë dhënë dinamikë PDK-së. Prandaj, duke qenë të vetëdijshëm për punën e madhe që na pret, dhe për të ardhmen që nuk do ta lëmë të na rrëshqasë nga duart, për fund, dua të shpreh falënderimin tim më të thellë për të gjithë ata burra dhe gra, të rinj e të reja, për ju që jeni në këtë sallë dhe për mijëra mbështetës të PDK-së, që kanë qenë dhe janë pjesë e kësaj bashkësie të veçantë politike, ndaj kontributit të të cilëve kemi detyrim. Detyrim, të cilin do ta shlyejmë, duke ia hapur Kosovës perspektivën që e kemi ëndërruar të gjithë. Jemi bashkë, siç kemi qenë gjithmonë”, theksoi ai.

Hamza tha se e ka vullnetin, forcën dhe përgjegjësinë për t’u angazhuar që ta rikthejë Kosovën në rrugën e zhvillimit, për të cilën Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë punuar e kanë sakrifikuar.

“Së bashku, ne do t’i heqim barrierat ndaj njëri-tjetrit. Së bashku do t’i heqim barrierat e mundësive për qytetarët tanë. Së bashku do të sigurohemi që çdo fëmijë të ketë një arsimim të shekullit 21. Që çdo i ri të ketë siguri se mund ta nisë jetën në Kosovë pa frikë. Që çdo zyrtar do të ketë një pagë të dinjitetshme. Që çdo ndërmarrës nuk do të lihet kurrë i vetëm deri sa të ngritet në këmbë. Që çdo mjek e profesor, mësimdhënës e polic, zjarrfikës e ushtar, kategori të luftës e pensionistë do ta ushtrojnë detyrën me motiv dhe krenari. Së bashku do të punojmë që polarizimi ynë shoqëror të shndërrohet në unitet e energji, sepse në shoqërinë tonë, nuk ka vend as për urrejtje, as për përçarje. Unë besoj se kjo është Kosova që e duam të gjithë”, u zotua Hamza.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe koordinatori i Këshillit Politik të PDK-së, Arsim Bajrami dhe kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu.