Krasniqi pret në takim gruan e Thaçit dhe atë të Veselit në 25-vjetorin e PDK-së

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, në 25-vjetorin e themelimit të partisë, priti në takim bashkëshorten e Hashim Thaçit, Lumnijen dhe të Kadri Veselit, Violetën.

Krasniqi shprehet se urimet që i shkëmbyen nuk ishin të plota, sepse ndihej mungesa e dy liderëve.

“Në këtë përvjetor jubilar të themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, pata nderin dhe kënaqësinë të pres bashkëshorten e presidentit Hashim Thaçi, Lumnijen dhe bashkëshorten e kryetarit Kadri Veseli, Violetën. Urimet që i shkëmbyem për këtë 25-vjetor, fatkeqësisht, nuk ishin të plota, sepse sot më tepër se çdoherë ndihej mungesa e dy liderëve tanë”, shkruan Krasniqi në Facebook.

“Më shumë se mall, sot ndiejmë krenari që pjesë të rrugëtimit tonë jetësor i kemi dy burrështetas të guximshëm, që ndryshuan fatin e Kosovës, dy udhëheqës vizionarë që e ngritën, zhvilluan dhe transformuan Republikën tonë, dy çlirimtarë që po vazhdojnë misionin e tyre në mbrojtje të së vërtetës së historisë së vendit dhe popullit tonë”.